Caktohet masa e paraburgimit ndaj dy(2) të pandehurve,përveprën penale lëndim i lehtë trupor
Prizren, 12 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatjetridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 08.04.2021, ndaj të pandehurveA.O., dhe M.O.,për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 3 pika 3.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurveA.O., dhe M.O., kavlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Medatë 9 mars, në orët e mëngjesit, në shkollën fillore të fshatit Caparc (Prizren), të pandehurit i shkaktojnë lëndime trupore të miturit – i dëmtuari nxënës i shkollës, për shkak se i mituri – i dëmtuari kishte pasur një mosmarrëveshje të mëhershme me vajzën e të pandehurit A.O., ashtu që të pandehurit A.O., dhe M.O., (babë e bir), shkojnë në shkollë dhe derisa ishte duke u mbajtur ora mësimore, e sulmojnë të dëmtuarin – viktimë e ndjeshme i moshës së mitur, ashtu që të pandehurit duke e goditur me shuplaka në pjesë të ndryshme të trupit i shkaktojnë lëndime trupor të dëmtuarit të konstatuara nga raporti mjekësor
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje sapo kanë filluar, në vazhdim do të merren në pyetje të pandehurit, i dëmtuari, dhe dëshmitarët e tjerë të cilët do të identifikohen.
Gjithashtu për shkak të peshës së veprës penale,në rastin konkret kemi të bëjmë me lëndime trupore të cilat janë shkaktuar të dëmtuarit të mitur, ndërsa në anën tjetër po ashtu duke marr parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, ku i dëmtuari – i mitur është keqtrajtuar në ambientet e shkollës, duke e goditur me shuplaka në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe duke e keqtrajtuar në ambientet e shkollës e cila skenë i ka traumatizuar të gjithë nxënësit dhe personelin arsimor në atë shkollë, e në anën tjetër duke marrë parasysh marrëdhëniet dhe raportet e acaruara të palëve, kjo le për të besuar se me lënien e të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale ku mund të shkaktohen pasoja edhe më të mëdha, e për më tepër kur merret parasysh fakti se të pandehurit, të pajisur me armë kanë shkuar për kryer këtë vepër penale.
Nga të lartë cekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është adekuate, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, ndikimin në dëmtuarin, dëshmitarë, peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së këtyre veprave, e cila është kryer në ambientet e shkollës, raportet e acaruara në mes të palëve, e po ashtu edhe nga të cekurat më lart gjatë, caktimi i masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Shënim:Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.