Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurës N. N., shtetase e Serbisë, e cila dyshohet për vrasjen e një të moshuare në Shtërpcë.
N. N. dyshohet se më 27 gusht 2016, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, privoi nga jeta 90-vjeçaren D. N., nga komuna e Shtërpcës.
Me këto veprime, ajo dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas medieve, viktima dhe e dyshuara, ishin familjare. E dyshuara jetonte në Beograd. Ajo e ka pranuar se e ka qëlluar me thikë 90-vjeçaren, pas një zënke për çështje pronësore.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragraf 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga data e arrestimit 27 gusht, bëhet e ditur në njoftimin e gjykatës.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.