Një muaj paraburgim për dy të dyshuar për ryshfet në KEDS në Ferizaj

Prishtinë | 27 Shk 2026 | 12:16 | Nga Ekonomia Online


Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokuroria Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, të dyshuar për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Sipas komunikatës së gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 25 shkurt 2026, në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, të pandehurit B.B. dhe E.K., në cilësinë e zyrtarëve përgjegjës, kanë kërkuar 400 euro nga i dëmtuari A.H.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej katërqind (400.00) euro të dëmtuarit A.H.”, thuhet në njoftim.

Sipas gjykatës, të dyshuarit i kanë premtuar të dëmtuarit se njësori elektrik do t’i vendosej brenda një jave në lokalin e tij, ndërsa në të kundërtën do të duhej të priste pesë deri në gjashtë muaj. Po ashtu, sipas dyshimeve, shuma e kërkuar do të ndahej ndërmjet katër personave.

“Pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës”, thekson komunikata.

Gjykata ka bërë të ditur se kërkesa e prokurorit të shtetit për paraburgim është aprovuar si e bazuar dhe të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Me këtë rast, palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Të ngjashme