Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve V.K dhe A.U, për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë.
Sipas Gjykatës i pandehuri V.K. me datë 10.09.2019, rreth orës 12:50, në Pejë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta këtu të dëmtuarin A.U, me këtë rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit tjetër dhe të kalimtarëve të tjerë që ishin në rrugë, në atë mënyrë që për shkak të problemeve të mëparshme që kanë pasur, ditën kritike i pandehuri së bashku me të dyshuarin L.K, me veturën e tyre kanë shkuar për t’u takuar me të dëmtuarin i cili ishte duke e drejtuar veturën e tij, këtu i pandehuri me të shpejtë del nga vetura e tij dhe shtënë tri herë në drejtim të dëmtuarit për ta privuar nga jeta mirëpo nuk ka pasur mundësi ta godasë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa i dyshuari tjetër A.U. ka një muaj paraburgim pasi thonë se datë 10.09.2019, rreth orës 13:10, me dashje ka tentuar ta privojë nga jetë të dëmtuarin K.K, në atë mënyrë që të njëjtën ditë pikërisht në vendin dhe mënyrën e përshkruar si më lartë ka qenë i sulmuar me armë nga i pandehuri V.K i cili së bashku me të dyshuarin tjetër janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe rrugës kanë vërejtur të dëmtuarin K.K, i cili është i afërm i të pandehurit V.K, me të vërejtur të dëmtuarin, i pandehuri ka shtënë një herë në drejtim të viktimës K.K duke e plagosur në këmbën e majtë, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.