Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Refki Piraj , ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 17.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 17.04.2021, ndaj të pandehurit A.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: kanosje.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Me datë 17 mars, në shtëpinë e përbashkët familjare, i ka kanosur të dëmtuar – prindërit e tij, me vepra apo gjeste se do t’i privoj nga jeta ose do t’i shkaktoj lëndim të rëndë trupor, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri fillimisht fjaloset me të dëmtuarit – prindërit e tij, duke i ‘u kërkuar të holla, i ‘u bënë presion në vazhdimësi, dhe më pas i kanos me fjalët “Unë po dal në qytet, kur të kthehem nëse iu gjejë në banesë do t’iu vras”, dhe në vazhdimësi i njëjti shkakton ankth, frikë dhe pa siguri tek të dëmtuarit.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse duke pasur parasysh peshën e veprës penale mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, ashtu që me dashje ushtron dhunë duke i kanosur edhe me jetë prindërit e tij, gjithashtu Gjykata ka marrë parasysh edhe faktin që i pandehuri ka kryer këto veprime duke qenë nën ndikimin e substancave narkotike.
Gjithashtu nga shkresat e lëndës vërtetohet se i pandehuri është recidivist i veprave penale të kësaj natyre, pasi që më herët është shpallur fajtor për veprën penale të dhunës në familje.
Nga të lartë cekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret kjo masë është më oportune dhe më e arsyeshme duke marr parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm dhe për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore.