Një muaj paraburgim për të dyshuarin e pestë në rastin “Brezovica”

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit në rastin “Brezovica”, i cili aktualisht gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.

Përmes një komunikate për media, Gjykata në Ferizaj ka thënë se R.M dyshohet për veprat pernale “Marrje e ryshfetit” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

“Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.M., shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar për shkak të veprave penale marrja e ryshfetit në ndihmë nga neni 428 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 dhe 33; veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 2 lidhur me nenin 31të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G. dhe A.X., kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të ngjashme