Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tre të pandehurve të dyshuar për përfshirje në një incident të dhunshëm në Gjakovë.
Sipas vendimit të gjykatës, H.D. dyshohet për veprat penale “vrasja në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa A.D. dhe E.G. dyshohen për “pjesëmarrje në rrahje”.
Sipas Prokurorisë, incidenti ka ndodhur më 10 gusht 2026, rreth orës 15:50, në rrugën “Dëshmorët e Hereçit” në Gjakovë.
Prokuroria thotë se pas një mosmarrëveshjeje dhe konflikti fizik ndërmjet të dyshuarve dhe të dëmtuarit D.G., i dyshuari ka nxjerrë një armë dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij.
I dëmtuari është goditur në pjesën e sipërme të këmbës së majtë dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë. Ndërkohë, i dyshuari H.D. dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes.
Të tre të pandehurit do të qëndrojnë në paraburgim nga data e arrestimit, 10 gusht, deri më 10 shtator 2026.