Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen në Prishtinë

Prishtinë | 01 Mar 2019 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.SH, për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit B.SH. i është caktuar masa e paraburgimit prej datës 28.02.2019 deri me datë 28.03.2019.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 27.02.2019 rreth orës 11:30 në Prishtinë, i pandehuri B.SH. pas disa mosmarrëveshjeve, ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.J. duke shtënë me armë zjarri, i cili pas plagëve të marra kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Gjykata ka konstatuar se lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është caktuar masa së paraburgimit kundër të pandehurit B.SH pasi që i njëjti dyshohet për vepër të rëndë penale, andaj po të gjendet në liri ekziston rreziku i ikjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Të ngjashme