Një paralajmërim për demokracitë e rrezikuara

Prishtinë | 29 Kor 2018 | 15:25 | Nga

Në ditët e shqetësimeve të thella për stabilitetin e demokracisë në Amerikë dhe kudo tjetër, kronika e Benjamin Carter Hett, mbi kolapsin e Republikës së Weimanrit dhe ngritjen e Adolf Hitlerit, nuk do të mundë të kishte ardhur në një kohë më të përshtatshme se kaq.

Libri me titull “The Death of Democracy” (Vdekja e demokracisë), është i trishtë për t’u lexuar për herë të parë, sepse i trajton vitet e hershme të Hitlerit, kur ai ishte një politikan që e shfrytëzonte pakënaqësinë me demokracinë gjermane për të siguruar terren institucional dhe që më pastaj i kontrollonte ndasitë e thella në mesin e partive politike të themeluara, shkruan “Washington Post”, transmeton “Koha Ditore”.

Po të mos ishte rivaliteti partizan që i frenoi liderët e qendrës të vepronin si grup, vështirë se mund të kuptohej ngritja e Hitlerit. Edhe kur u emërua kancelar dhe kërkoi ta formonte qeverinë në janarin e vitit 1993, mënyra sesi ai mbante pushtetin dukej e dobët.

Katër kancelarë të mëparshëm kishin shërbyer në Gjermani qysh prej vitit 1930 deri atëherë: asnjëri nuk kishte mundur ta zgjidh krizën e ndezur politike. Nazistët nuk e kishin shumicën në Reichstag dhe shumica e gjermanëve nuk parashikonin diçka si një diktaturë absolute, aq më pak dhoma të gazit apo një luftë të dytë botërore.

Në të vërtetë, shkruan Hett në faqen e fundit të librit, “kur ai (Hitleri) u bë kancelar…miliona veta kishin pritur që koha e tij në zyrë të jetë e shkurtër dhe e paefektshme”. Por ndodhi krejt e kundërta dhe të pafuqishëm ishin ata që u ofenduan thellësisht nga nazistët, por ishin të pafuqishëm t’i ndalonin ata.

Nëse Hett mund të besohet, shumica e gjermanëve as që e kishin votuar Hitlerin, dhe ishin të tmerruar apo shqetësoheshin thellësisht për ekstremizmin nazist dhe dëshirën e tyre për dhunë. Ata ishin të vetëdijshëm që propaganda e Hitlerit ishte e rreme – e ndërtuar nga një mori gënjeshtrash – dhe megjithatë, miliona gjermanë që dëgjuan fjalimet e tija, përfunduan me ndjesinë që ai ishte zëri i tyre autentik.

Në një nivel më intim, politikanë të afërt me Hitlerin e panë atë të reagonte ndaj kritikave me një tërbim. Megjithatë ata e kishin parë atë edhe si veprimtar të qetë, i cili mund të linte pas rivalët politikë me sharmin e vet. Nacionalistët gjermanë në veçanti, gjeneralë, biznesmenë dhe të tjerë të krahut të djathtë nisën të besojnë që nuk kishin opsion më të mirë sesa të bashkëpunonin me Hitlerin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme