Vasfije Krasniqi-Goodman ka vendosur që heshtjen e saj ta kthejë në zë për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. Për herë të parë ajo ka thyer tabutë, duke rrëfyer publikisht përdhunimin e forcave serbe, kur ishte 16-vjeçare, raporton KTV.
Vasfija u mor nga shtëpia e saj nga pjesëtarë serbë të Policisë, derisa thotë se u dhunua nga Jovica Dejanoviq dhe Gjorjge Bojkoviq.
Përkundër faktit që ajo arriti t’i identifikojë personat, të cilët thotë se e dhunuan, gjykatat në Kosovë i shpallën ata të pafajshëm.
Organizata ‘Fondi për të Drejtën Humanitare’, që ka monitoruar procesin gjyqësor ndaj Vasfije Krasniqi-Goodmani, thotë se i gjithë procesi gjyqësor dështoi, shkaku i një lëshimi të bërë nga hetuesit dhe jo në mungesë të provave dhe dëshmive.
Jovica Dejanoviq, njëri nga të akuzuarit për dhunimin seksual të Vafsije Krasniqit, ishte pjesë e Policisë së Kosovës për 16 vjet radhazi.
Por, Policia ka konfirmuar për KTV-në se Dejanoviqit i është ndërprerë marrëdhënia e punës në qershor të vitit të kaluar, duke mos dhënë sqarime se cila ishte arsyeja e largimit të tij.
Për rrëfimin që ka ngjallur reagime të shumta, Lëvizje Vetëvendosje ka kërkuar që të rigjykohet, duke shtuar se institucionet e drejtësisë kanë dështuar t’u japin dënimin e merituar personave për dhunime gjatë luftës në Kosovë.