Një polic i Kosovës vdes nga Coronavirusi

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 23:50 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e një zyrtari policor në moshën rreth 39-vjeçare nga koronavirusi.

Zëdhënësi i Policisë, Shaban Osmanollaj në një prononcim për RTV Dukagjini ka thënë se sapo u është konfirmuar lajmi.

“Sapo na treguan se ka vdekur një zyrtar policor, detaje të tjera nuk kemi tani”, tha ai.

Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta, ka konfirmuar se ka vdekur zyrtari ekipit reagues të Stacionit Policor në Gjakovë, Ilir Gjoka.

Graishta bëri të ditur se zyrtari i PK-së fillimisht u trajtua në Spitalin Rajonal të Gjakovës, por, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore u dërgua për në QKUK.

“Ju konfirmojmë se kemi pranuar njoftimin nga IKSHP për vdekjen e kolegut tonë i cili që nga dita e premte ka qenë i hospitalizuar në spitalin rajonal në Gjakovë ndërsa dje, pas përkeqësimit të gjendjes është transportuar për në klinikën infektive në QKUK ku sot në orët e vona të mbrëmjes ka ndërruar jetë. I ndjeri ka qenë zyrtar në ekipet reaguese të Stacionit Policor në Gjakovë”, konfirmoi Graishta për Gazetën Sinjali.

Me këtë, numri i të vdekurve nga Coronavirusi në Kosovë ka shkuar në 118.

Të ngjashme