Një polic qëllohet për vdekje në Kaliforni, ushtria vihet në gjendje gatishmërie

Prishtinë | 30 Maj 2020 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Dy zyrtarë të Shërbimit Mbrojtës Federal janë qëlluar me armë gjatë protestave të mbrëmjes së të premtes në Oakland të Kalifornisë. Njëri prej tyre nuk u ka mbijetuar plagëve.

Së paku 7,500 protestues dolën rrugëve në Oakland mbrëmjen e kaluar, ku pati përleshje me policinë dhe dëmtim të objekteve, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

“Dy zyrtarë të Shërbimit Mbrojtës Federal, të stacionuar në Ndërtesën Federale të Qendrës së Oakland-it, kanë përjetuar plagë nga arma. Për fat të keq, njëri nuk u mbijetoi plagëve”, tha Departamenti i Policisë.

Në një rast tjetër, një protestues 19-vjeçar u qëllua për vdekje mbrëmjen e kaluar në Detroit. Në këtë incident nuk ishte e përfshirë policia.

 Ushtarët në Karolinën Veriore dhe në Nju Jork janë urdhëruar që të jenë në gjendje gatishmërie për veprim brenda katër orësh, ndërsa ushtarët në Kolorado dhe Kansas brenda 24 orësh.

Protestat e dhunshme në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara shpërthyen pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë.

Të ngjashme