Hapja e një fabrike në komunën e Podujevës ka ngjallur shumë reagime te shoqëria civile. Rrjeti i OJQ-ve lokale “Demokracia Fillo Këtu”, përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka reaguar ndaj kryetarit të komunës së Podujevës, Agim Veliut.
Sipas këtij rrjeti të OJQ-ve, Veliu ka penguar punësimin e mbi 680 punëtorëve në Podujevë në fabrikën për përpunimin e perimeve “Philippos Food Kosovo L.L.C.”.
Kryetari Veliu, siç thekson rrjeti i OJQ-ve, me fuqinë e votës është duke penguar seriozisht bizneset të cilat nuk kanë marrëveshje paraprakisht me të.
“Rasti i fundit i hapjes se fabrikës në Podujevë nga kompania “Philippos Food Kosovo L.L.C.” degë e kompanisë “Philipoos Holding GmbH & Co. KG” me seli në Gjermani, e cila ka veprimtari kryesore përpunimin e produkteve ushqimore nga industria përkatëse – mbjelljen, kultivimin dhe përpunimin e perimeve është mjaft shqetësuese.”
“Një hulumtim i bërë nga rrjeti i organizatave jo-qeveritare ‘Demokracia Fillon Këtu’, i cili do të bëhet se shpejti publik, tregon se kryetari, Agim Veliu, është duke penguar hapjen e fabrikës dhe duke rrezikuar seriozisht punësimin e mbi 680 punëtorëve. Detajet bëhen publike në prezantimin e hulumtimit”, thuhet më tej në reagimin e “Demokracia Fillon Këtu”.