Një shtetas rus u paraqit në një gjykatë federale në ShBA të enjten, pasi u ekstradua nga Koreja Jugore në Ohio për t’u përballur me akuza për rolin e tij të dyshuar në një organizatë të krimeve kibernetike, tha Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Vladimir Dunaev, 38 vjeç, ka qenë anëtar i një organizate për krime kibernetike që ka aktivizuar një mashtrues kompjuterik bankar dhe një seri sistemesh për haraç të njohura si “Trickbot”, tha Departamenti i Drejtësisë.
“Trickbot-i ka sulmuar biznese dhe viktima përreth globit dhe ka infektuar miliona kompjuterë për vjedhje dhe haraç, përfshirë rrjetet e shkollave, bankave, qeverive lokale dhe kompanive të kujdesit shëndetësor, energjisë dhe bujqësisë”, tha zëvendësprokurorja e përgjithshme, Lisa Monaco, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në padi pretendohet se duke filluar nga nëntori i vitit 2015 e deri në gusht të vitit 2020, rusi Dunaev dhe disa të tjerë kanë vjedhur para e të dhëna konfidenciale si dhe kanë dëmtuar sisteme kompjuterike të viktimave, përfshirë individë, institucione financiare, distrikte shkollore, kompani shërbimesh, organe qeveritare dhe biznese private.
Dyshohet se këta persona kishin përdorur një rrjet bashkëpunëtorësh dhe programerësh kompjuterikë për të krijuar, aktivizuar dhe menaxhuar viruset kompjuterike, të cilat prekën miliona sisteme kompjuterike në mbarë botën, tha më tej Departamenti i Drejtësisë.