Policia e Kosovës sot në orët e pasdites ka arrestuar një qytetar, të përkatësisë serbe, i cili ka shkuar pranë shtëpisë së presidentit Hashim Thaçi, me ç’rast ka bërë sjellje fyese dhe kërcënuese.
Ai ka bërë xhiro me veturë, ka ngritur tre gishtërinj dhe ka lëshuar muzikë me zë të lartë, raporton Ekonomia Online.
Gjesti i tre gishtave është një simbol nacionalist serb, i cili në vitet e fundit ka marrë ngjyrime fashiste, pasi u përdor në masë nga forcat paramilitare serbe në luftë, fillimisht kundër myslimanëve.
Një burim i Ekonomia Online ka bërë me dije se serbi i dyshuari Ivan Lekic, rreth orës 16:00, me veturën e tij “Peugeot 206”, në gjendje e të dehur kishte shkuar afër shtëpisë së presidentit të Kosovës, e cila gjendet në Çagllavicë, duke shfaqur shenja të urrejtjes dhe këtë e kishte bërë duke ngritur tre gishtërinj të dorës si dhe duke dëgjuar muzikë në gjuhën serbe më zë të lartë, e duke u shprehur me zë të lartë në gjuhën serbe.
Sipas këtij burimi, këto veprime i dyshuari i kishte përsëritur disa herë deri në momentin kur ishte ndalë nga njësia e cila siguron shtëpinë presidentit.
“I dyshuari ka rezultuar të jetë në gjendje të dehur dhe të njëjtit pas kontrollimit të veturës i është gjetur një thikë”.
“Në lidhje me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë përkatëse dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore. Në konsultim me prokurorin kujdestar të dyshuarit i është caktuar masa 48 orë”, ka thënë ky burim për EO.
“Në konsultim me prokurorin kujdestar është lëshuar Aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar për 48 orë”, ka konfirmuar Policia e Kosovës, në orët e mbrëmjes.