Dashamirët e filmit nuk kanë raste të shpeshta të shohin filma zviceranë. Kjo është për shkak se industria zvicerane e filmit nuk është e zhvilluar si në vendet tjera evropiane, sidomos në rastin e serive filmike që kohëve të fundit është zhvilluar në Turqi dhe Spanjë.
Megjithatë, seria e quajtur ‘New Hights’ (në origjinal Neumatt: Majat e Larta), e cila sapo ka filluar të shfaqet në ‘Netflix’, është duke zgjuar interesim nga shikuesit. Në fakt kjo është e vetmja seri filmike zvicerane që mund ta shihni në ‘Netflix’ dhe ‘Prime’.
Nuk është seri që shkëlqen, por është mjaft solide në aspektin artistik. Seria në fjalë ka rrëfim të rjedhshëm të problemeve të Zvicrës që paraqitet përmes dy vijave kryesore të jetës dhe ekonomisë zvicerane: bujqësisë dhe financave.
Rrëfimi shpaloset me rastin e një familjeje e cila merret me bujqësi dhe e cila ka probleme me mbajtjen e fermës së tyre të vogël në një fshat, i cili kanoset nga moderniteti. Nëpërmes problemeve të kësaj familjeje shohim vështirësitë në rrugën e ndryshimeve që përjeton bujqësia dhe me të edhe shoqëria zvicerane.
Në fermën e familjes blegtorale në Neumatt, të gjithë anëtarët, si në çdo familje, kanë sekretet e tyre. Kryefamiljari Kurt Wyss (Paul Keiser) bënë vetëvrasje në fillim të filmit. Ekziston përshtypja se ai këtë akt, që e rëndon familjen pa masë, e kryen për shkak se gruaja e tij Katharina (Rachel Braunschweig), ka një aferë dashurie me një fshatar, poashtu të martuar. Vdekja zbulon edhe problemet financiare. Ferma është e zhytur në borxhe ndaj bankës, por edhe të fshatarëve, pasi që Kurt kishte marrë hua nga shokët në mënyrë që ta mbante rjedhën e punës.
Djali i vogël i Kurtit, Lorenz (Jérôme Humm), është bujk i vërtetë. Ai i don shumë lopët dhe punën në fermë. Por, nuk është mjaft inteligjent për të kryer kursin e bujqësisë që do t’ia mundësonte trashëgiminë e titullarit të fermës. Pa këtë kualifikim, udhëheqësi i fermës në Zvivër nuk mund të merr kredi nga bankat e as subvencione nga shteti.
Katharina tenton ta fshehë vetëvrasjen e burrit dhe shpërndanë informata se Kurti ka vdekur si rezultat i rrëzimit nga shkallët. Kjo është për ta fshehur turpin që nxjerrë vetëvrasja, por edhe pasojat e sigurimit. Vajza e tyre, Sarah (Sophie Hutter), ka një studio fitnesi. Por, ajo nuk e di që paratë për hapjen e kësaj studioje janë nga familja e djaloshit, i cili e ka dhunuar dhe nga i cili akt ajo ka një vajzë dikur rreth 12 apo 13 vjeçare.
Familja e djalit dhunues është e pasur dhe e ka mbuluar lehtë aktin kriminal të dhunimit seksual të një vajzeje të një familjeje bujqësore, të varfër dhe të pandikim në shoqëri. Ky është sekret që e dijnë vetëm prindërit dhe vajza e dhunuar. Por, me zhvillimin e ngjarjes, sekreti del në shesh.
Djali i madh i familjes, Michi (Julian Koechlin), është inteligjenti dhe i shkolluari i familjes, i cili punon si konsultant biznesi në ‘city’ (Zurich). Në punë askush nuk e di se ai është djalë fshati kurse në fshat askush nuk e di se ai është homoseksual.
Nëpërmjet Michit, i cili është edhe narkoman, shohim kontrastin që del nga e kaluara dhe e tashmja e shoqërisë zvicerane. Madje, i dashuri i Michit është i racës së zezë.
Vdekja e kryefamiljarit, në këtë rast, si zakonisht, nxjerrë në pah problemin e trashëgimisë. Pjesa më e madhe e anëtarëve të familjes dëshirojnë ta shesin fermën. Michi dhe Lorenzi, së bashku me gjyshen, dëshirojnë ta ruajnë.
Megjithatë, është vështirë të përballohet agresiviteti i kompanive që blejnë pasuri për zhvillimin e interesave të tyre financiare. Paraja ka fuqi joshëse dhe intrigon familjen dhe fshatin.
Kur fitohet përshtypja se ferma do të shitet, krijohet momenti dramatik dhe atë e merr Michi në trashëgimi, i cili për këtë e braktisë jetën e pasur të qytetit për jetën në farmë në të cilën është rritur. Është përfundim i filmit që bënë me dije se njerëzit nuk heqin dorë lehtë nga jeta tradicionale dhe familja.
Me këtë ofrohet edhe shembulli se në Zvicër ka mundësi dhe dëshirë që bujqësia të mos dorëzohet para interesave financiare të kompanive të mëdha, por edhe apetiteve të individëve që joshen nga paraja. Përmasat e reja të zhvillimit ekonomik e rrezikojnë jetën e bujqësisë, veprimtarisë themelore dhe tradicionale të Zvicrës. Megjithatë, natyra e njeriut dhe lidhja e familjes zvicerane me tokën (bujqësinë) triumfon.
Në këtë seri janë angazhuar një varg i aktorëve të rinj, nga mosha dhe eksperienca, por që të gjithë paraqiten kompetent.