Për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19, Qendra Mjekësore Universitare e Misisipit e ka mbushur parkingun nëntokësor me shtretër.
Spitali kishte bërë një veprim të ngjashëm edhe në pranverën e vitit 2020, kur ishte kulmi i valës së parë të pandemisë.
Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes, guvernatori i Misisipit nga radhët e Partisë Republikane, Tate Reeves, tha se i mirëpret ndihmat nga punëtorët federalë, por u zotua se kurrë nuk do t’i detyrojë banorët për të vendosur maska, ndonëse kjo cilësohet mënyrë efektive për parandalimin e përhapjes ë virusit.
“Unë besoj se secili individ duhet ta bëjë atë që beson se është vendimi më i mirë për veten”, tha ai. Reeves shoti se ai dhe familja e tij janë vaksinuar, por ka rreziqe që lidhen edhe me vaksinim, edhe me mosvaksinim, shkruan Reuters.
Shkalla e ulët e vaksinimit dhe varianti më ngjitës, Delta, kanë shkaktuar rritje të numrit të rasteve me Covid-19 në mbarë Shtetet e Bashkuara, duke e stërngarkuar sistemin shëndetësor në disa pjesë.
Është rritur edhe numri i fëmijëve të hospitalizuar. Të premten, në ShBA ishin 1.871 fëmijë të shtrirë në spitale, më shumë se në cilëndo periudhë tjetër të pandemisë.