Qeveria e Kosovës e ka një zgjidhje të fortë për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por nuk po di ta pëdorë, siç nuk ka ditur asnjë qeveri para kësaj që është tash në fuqi.
Fatkeqësia e Kosovës është se qeveritë e deritashme, nga e para tek e mbrama, janë shquar për mungesë kompetence, për mbyllje hermetike, për mungesë ekspertize, mungesë guximi, mungesë imagjinate. Dhe e kanë sjellë gjendjen këtu ku është, në kolaps dhe me rrezik që Kosova të fajësohet për bllokimin e procesit të bisedimeve në Bruksel.
Gabimi strategjik është bërë në vitin 2013, kur është arritur marrëveshja e parë, Thaçi-Daçiq, po edhe në vitin 2015 kur janë firmosur parimet nga ish kryeministri Mustafa. Qëndrimi i qeverive të Kosovës atëherë e sot do të duhej të ishte i prerë lidhur me asociacionin: asociacioni të formohej në bazë të Propozimit Gjithpërfshirës të Ahtisarit të shkurtit 2007. Pikë. Pse? Sepse me atë Propozim është pranuar nga ana e Kosovës formimi i komunave të reja (Graçanicë, Novobërdë, Ranullugë, Partesh, Kllokot, Mitrovicë Veri.) Pra, këto komuna që duan të formojnë asociacion, janë produkt ekskluziv i Propozimit të Ahtisarit.
Jashtë atij Propozimi ato nuk kanë ekzistuar as nuk duhet të ekzistojnë. Pra, për të mbetur ato komuna funksionale, Serbia duhet ta pranojë Propozimin e Ahtisarit, me theks në Aneksin 3 dhe Shtojcën që ka të bëjë me formimin e këtyre komunave. Kur të pranohet Propozimi i Ahtisarit, minimalisht Aneksi 3, atëherë zgjidhja për asociacionin është po në Propozimin e Ahtisarit, ndaj të cilit Kosova ka obligim mbikushtetues.
Ajo që thuhet në propozimin e Ahtisarit për Decentralizmin, kompetencat e komunave dhe bashkëpunimin ndërkomunal, paraqet themelin mbi të cilin duhet dhe mund të formohet pa probleme asociacioni. Asociacioni duhet të formohet vetëm mbi atë themel, sepse Propozimi Gjithëpërfshirës i Ahtisarit, kur është sjellë e pranuar nga Kosova, është shpall kategori mbikushtetuese. Me atë kapacitet i ka formuar komunat e reja dhe e ka paraparë asociacionin, i cili në këtë dokument, në nenin 9 të Aneksit 3, quhet Bashkëpunimi ndërkomunal.
Pika 9.2 e nenit 9 e definon qartë: “Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet e komunave të Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta në pajtueshmëri me ligjin.” Bile shikuar realisht, interpretimi logjik është se komunat e Ahtisarit duhet të inkuadrohen në asociacionet eksistuese të komunave të Kosovës. Por edhe nëse mundësohet një asociacion më vete, duhet të mbahet qëndrimi që të zbatohen parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, e cila e përjashton çdo formë të pushtetit ekzekutiv në këtë nivel të organizimit ndërkomunal.
E dyta, duhet të respektohet korniza ligjore e Kosovës. Pra, gabimi strategjik është bërë në vitin 2013 e 2015 që janë hapur alternativa të tjera për formimin e bashkësisë së komunave serbe, aq më tepër që ajo marrëveshje mbi parimet pa asnjë sens është ratifikuar në Kuvend. Pyetja që dhemb në së shumti është, minimalisht për këtë rast: a dinë këta njerëz që kanë drejtuar dhe drejtojnë vendin tonë se ku janë kufijtë e interesit shtetëror?
Nëse është bërë kompromis i rëndë me Propozimin e Ahtisarit, atëherë është dashtë të mbetej në atë pike, e jo t’u hypej skiave të lëshimeve të mëtejshme bizare. Dhe që krahas gjithë lëshimeve, prapë Kosova të konsiderohet fajtore!
Në fakt, Kosova e ka një faj në këtë mes: ka faj që tash njëzet vjet ka zgjedhur dhe vazhdon të zgjedhë në pozita udhëheqëse, njerëz të padijshëm dhe të pavendosur që ta mbrojnë interesin minimal të saj. Siç do të thoshte Gjovani Sartori, populli është sovran edhe në të drejtë që të gabojë, por në atë rast e paguan çmimin e gabimit.
Këtu jemi, shype mali! Duke paguar çmimin e gabimeve. Përndryshe, një udhëheqje e përgjegjshme dhe e guximshme, që nga viti 2008 e deri sot do ta mbante lart si flamur për bisedimet me Serbinë vetëm një kartë, Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës.
Jo vetëm që nuk e kanë mbajtur, por në fakt e kanë injoruar tërësisht. Dhe kanë dalë zbuluar keqas. Qofsha i gabuar, ama dyshoj që shumica e deputetëve dhe e ministrave, të të gjitha legjislaturave e kabineteve, nuk e kanë lexuar, e pakta nuk e kanë kuptuar në këtë frymë Propozimin e Ahtisarit, i cili kur është fjala për organizimin e brendshëm të Kosovës, e ka delegjitimuiar tërësisht Serbinë.
Ndërsa serbëve lokalë u ka dhënë, si kompensim, të drejta enorme. Linja e politikës së mençme e të përgjegjshme të qeverive tona, do të duhej të ishte akomodimi i serbëve lokalë në kornizën e Ahtisarit, e jo siç kanë bërë deri tash: shtyrja e tyre në përqafimin e qeverive të Beogradit, me paaftësinë për të zbatuar Propozimin e Ahtisarit, i cili projekton integrimin e serbëve lokalë në shoqërinë e Kosovës, duke i shkëputur nga diktati i Serbisë.
Qeveritë tona nuk e kanë kuptuar e as zbatuar këtë linjë të Ahtisarit. Kanë dashur “ta zbulojnë ujin e nxehtë” dhe janë përvëluar njëra pas tjetrës. Si duket në radhë është edhe kjo e fundit.