Një stinor evropian për t’u harruar

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Rezistencë fare të vogël kanë bërë lojtaret e Dritës së Gjilanit, të martën mbrëma, në Santorinin e famshëm të Greqisë. Kampionia e Kosovës në volejboll është takuar me skuadrën greke AO Thiras Santorini në 1\16 e finales të Challenge Cup, që është niveli i tretë i garave evropiane.

Drita ka pësuar me rezultatin 3:0 në sete. E tërë ndeshja ka përfunduar për vetëm 54 minuta. Dy setet e para kanë zgjatur nga 17 minuta e i treti pak më gjatë, 20 minuta. Dy setet e para, gjilanaset i humbën me rezultat të thellë, 25:9 e 25:7. Pak më shumë kanë rezistuar në setin e tretë, të cilin e humbën 25:17, shkruan sot Koha Ditore.

Drita të mërkurën (sot) e luan ndeshjen e dytë me Thirasin, por nuk pritet të ketë ndonjë rikthim.

Kështu Drita vetëm e bën më të dukshme paraqitjen e zbehtë të skuadrave kosovare në të gjitha sportet, në kupat evropiane në edicionin aktual, 2019\2020. Në futboll, basketboll, hendboll e volejboll dështimet kanë qenë dukshëm më të mëdha se sukseset. Sukseset në fakt ishin fare të vogla dhe në disa raste janë pasuar me dështime të mëdha. Paraqitjet e këtij edicioni po ashtu vlerësohet se dëshmojnë që në sportet ekipore, njëjtë si në ato individuale, hapat para po bëhen me shumë vështirësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme