Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë ka goditur pjesën perëndimore të Kolumbisë, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale
Epiqendra është raportuar pranë San Jose del Palmar, rreth 400 kilometra në perëndim të kryeqytetit kolumbian, Bogota.
Banorët kanë dalë nga shtëpitë dhe ndërtesat pas lëkundjeve të fuqishme, ndërsa autoritetet kanë nisur vlerësimin e dëmeve, raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv
Sipas autoriteteve lokale, numri i viktimave ka shkuar në 20. Kryetari i qytetit Pereira ka konfirmuar se 18 persona kanë humbur jetën, ndërsa kryetari i qytetit të Manizales ka raportuar edhe për dy viktima të tjera.
Një guvernator provincial ka deklaruar se ka persona të lënduar dhe se janë raportuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa.
Fillimisht, EMSC e kishte vlerësuar tërmetin me magnitudë 7.1, por më pas e ka përditësuar vlerësimin në 7.4 ballë.
Autoritetet po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimin e situatës, ndërsa pritet të dalin më shumë detaje për dëmet dhe numrin e të lënduarve.