Një tjetër traktat në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund të skadojë shumë shpejt, pas tërheqjes së Uashingtonit nga pakti për kontrollin e armëve, që ka datuar nga periudha e Luftës së Ftohtë, ka thënë zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov më 7 shkurt.
Bisedimet për të vazhduar Traktatin për Reduktimin e Armëve të Reja Strategjike, duhet të fillojnë këtë vit ka thënë Ryavkov për agjencinë ruse të lajmeve, TASS.
Ai ka paralajmëruar se është duke kaluar koha për ruajtjen e paktit, i cili është nënshkruar më 2010 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama dhe homologu i tij rus, Dmitry Medvedev dhe skadon në shkurt të vitit 2021.
Ryabkov ka thënë se Uashingtoni nuk ka treguar “gatishmëri apo dëshirë” për t’u përfshirë në negociata për të vazhduar traktatin, i cili i kufizon secilit shtet që të mos ketë të pozicionuara shumë se 1,550 koka bërthamore dhe 700 raketa apo bomba.
Sipas tij, fushata për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, mund të pengojë negociatat për të vazhduar këtë marrëveshje.
“Për këtë arsye na duhet ta vazhdojmë atë këtë vit”, është shprehur ai.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar më 2 shkurt për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Pakti për Armë Bërthamore, që ka datuar nga viti 1987, derisa edhe Rusia ka vepruar njëjtë.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë për shkelje të këtij pakti, diçka që Rusia ka mohuar në vazhdimësi.