Ndërsa Hemisfera Veriore zhytet nën një valë të nxehti rekord të verës, shumë më në jug, një tjetër rekord i tmerrshëm klimatik po thyhet. Akulli në Antarktik ka rënë në nivele të ulëta të paprecedentë për këtë periudhë të vitit.
Çdo vit, akulli në Antarktik tkurret në nivelet më të ulëta në fund të shkurtit, gjatë verës së kontinentit. Më pas, akulli ngrihet përsëri gjatë dimrit. Mirëpo, këtë vit shkencëtarët kanë vërejtur diçka ndryshe.
Akulli nuk është kthyer në nivelet e pritura, madje është në nivelin më të ulët të regjistruar prej 45 vitesh. Kjo sasi akulli e humbur është e barabartë me përmasat e Argjentinës.
Fenomeni është përshkruar nga disa shkencëtarë si i jashtëzakonshëm – diçka që është kaq e rrallë, sa gjasat janë që të ndodhë vetëm një herë në miliona vjet.
Ted Scambos, një akullnajalog në Universitetin e Kolorados Boulder, tha se nuk duhet krahasuar më me epokën e mëparshme.
“Loja ka ndryshuar”, tha ai për CNN. “Nuk ka kuptim të flasim për gjasat që të ndodhë siç ishte sistemi dikur, po na tregon qartë se sistemi ka ndryshuar.”
Shkencëtarët tani po përpiqen të kuptojnë pse.