Kroati Krunoslav Krajnoviq është emëruar trajner i kampionit të Kosovës në basketboll, Bashkimit të Prizrenit. Bashkimi të dielën ka njoftuar për fillimin e bashkëpunimit me Krajnoviqin, që punën me skuadër e nis të hënën (sot).
43-vjeçari Krajnoviq karrierën si trajner e ka nisur qysh në vitin 1995. Për mbi një dekadë ka punuar në Sllovaki, shtet në të cilin qëndroi deri në fund të edicionit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”. Në Sllovaki ka fituar titull të kampionit. Pretendime të mëdha ka edhe me Bashkimin.
“Synimet e mia gjithnjë janë më të mëdhatë. Por hap pas hapi. Do të punojmë ashtu, që të arrijmë rezultat sa më të mirë”, ka thënë Krajnoviq të dielën për gazetën.
Ai ka nisur si trajner me të rinjtë e Zagrebit e më pas udhëhoqi të rinjtë e Cibonës. Punoi edhe te Gorica në Kroaci, si asistent te U-16 e Kroacisë (femrat) e më pas te skuadra kroate Kaptol, si asistent dhe me të rinjtë.