Hudhra nuk është vetëm një bimë barishtore që u jep shije ushqimeve. Ajo është përdorur për shekuj me radhë si bimë mjekësore për parandalimin dhe trajtimin e një sërë sëmundjesh. (Lexoni 10 përfitimet që i sjell hudhra shëndetit)
E keqja e kësaj bime është se ka një erë pak të fortë dhe të djegë nëse e konsumon të gjallë. Nëse doni një zgjidhje të shpejtë për t’i shpëtuar erës së keqe që lë hudhra në gojë, po ju sugjerojmë një truk të thjeshtë.
Përtypja e mollëve të freskëta, marules dhe gjetheve të mentës ul në mënyrë të konsiderueshme nivelet e përbërësve që shkaktojnë erën e keqe në gojë, sipas një eksperimenti të kryer nga hulumtuesit shkencor në Universitetin Shtetëror të Ohajos.
Më specifikisht, përbërës dhe enzima të caktuara tek gjethet e mentës, marules dhe mollët ndërveprojnë me përbërësit kimikë që shkaktojnë aromën e hudhrës, duke neutralizuar kështu erën në gojë që lë pas ajo.
Për të testuar efektet e këtyre ushqimeve në aromën e hudhrës, një nga autoret e studimit, Rita Mirondo, fillimisht përtypi një thelbi hudhër për 25 sekonda dhe më pas konsumoi ujë të ftohtë. Ajo e përsëriti këtë veprim për një javë, ku çdo ditë pas hudhrës konsumonte një ushqim të caktuar. Ajo provoi mollë të freskëta dhe ato të pjekura në mikrovalë, marule të freskëta dhe të gatuara në mikrovalë, lëng menteje dhe çaj jeshil të ngrohtë.
Hulumtuesit shkencorë më pas matën nivelin e përbërësve të hudhrës në frymën e Mirondos 60 minuta pas secilit trajtim për erën e keqe në gojë, dhe i renditën ushqimet dhe lëngjet në bazë të kohës që ata ndihmuan në largimin e erës së keqe. Në fund të studimit ata zbuluan se mollët dhe marulet e freskëta, dhe gjethet e mentës ishin më të mira për largimin e erës që keqe që shkakton hudhra.
“Molla kundërvepron me hudhrën në gojë dhe stomak për të hequr erën e keqe të përbërësve të tyre kimikë, para se ata të arrijnë në rrugët e gjakut. Prandaj ajo është më efektive se thjesht larja e dhëmbëve për largimin e erës së keqe”, shpjegon prof. Sheryl Barringer, autore kryesore e studimit.
Mollët, marula dhe gjethet e mentës janë të pasur me përbërës fenolikë, substanca aromatike që gjenden tek bimët dhe kundërveprojnë direkt me përbërësit që krijojnë erën e hudhrës. Këto ushqime janë gjithashtu të pasur me enzima që përshpejtojnë ndërveprimin midis këtyre përbërësve.
Lëngu i mollës dhe i mentës, si dhe mollët dhe marula e pjekura janë gjithashtu të mirë për largimin e erës së keqe, edhe pse nuk janë aq efektive sesa versionet e freskëta.