Një vit nga sulmi ndaj KFOR-it, Sveçla: Paqja dhe siguria s’duhet të merren si të mirëqena

Prishtinë | 29 Maj 2024 | 18:15 | Nga Ekonomia Online

93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë, ishin plagosur një vit më parë në Zveçan, gjatë protestave të dhunshme të organizuara nga serbët për të kundërshtuar marrjen e detyrave të kryetarëve të zgjedhur shqiptarë.

E një vit pas, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla po thotë se shumëçka ka ndryshuar.

Megjithatë, ai thotë se “paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqena, por duhet të mbrohen me vigjilencë në çdo kohë”.

Në një postim në platformën X, ai ka falënderuar “trimat burra dhe gra me uniformë atë ditë që mbajtën linjën kundër milicisë së dhunshme dhe institucioneve tona demokratike”.

“Policia e Kosovës ka identifikuar shumë dhe ka arrestuar dhjetëra autorë. Ata të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Sveçla.

Ai përshëndeti familjet e të gjithë ushtarëve të lënduar të KFOR-it dhe shprehu mirënjohjen maksimale të vendit “për shërbimin e tyre atë ditë, sot, çdo ditë”.

Postimit, ai ia bashkëngjiti një fotografi me pamjet e 29 majit të vitit të kaluar të ndërtesës së Komunës së Zveçanit, dhe pamjet e sotme të po asaj ndërtese.

Të ngjashme