Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe pa formim të institucioneve të reja, Kosova ka vazhduar të funksionojë me qeveri në detyrë, ndërsa bllokada politike, sipas profesorit universitar të shkencave politike Basri Muja, ka prodhuar pasoja serioze në legjislacion, administratë dhe jetën e përditshme të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Muja ka vlerësuar se për më shumë se një vit vendi ka qenë i paralizuar në aspektin institucional, me mungesë reformash dhe me mbikëqyrje të dobët parlamentare, duke shtuar se këto zhvillime janë reflektuar edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në perceptimin e partnerëve të huaj ndaj Kosovës.
“Jemi që në vit në bllokadë, diku pak më shumë se një vit në fakt, prej se ka filluar, janë shpallur zgjedhjet, ishin shpallur zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar. Për një vit nuk kemi pasur asnjë lëvizje sa i përket legjislacionit. Pra, zero ligje të reja, zero reforma të parapara. Mbikëqyrja parlamentare ka qenë sigurisht në nivelin më të ulët. Administrata ka qenë e pasigurt. Pra, të gjitha janë këto elemente të cilat vetë se e kanë vështirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Muja si shqetësim të veçantë ka përmendur raportet ndërkombëtare të Kosovës, që sipas tij, në një periudhë me zhvillime të shpejta dhe të paparashikueshme globale, mungesa e stabilitetit politik e ka penguar Kosovën të jetë pjesë e takimeve dhe aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare, duke krijuar rrezik që për vendin të merren vendime edhe pa praninë ose ndikimin e tij.
“Kur kësaj i shtohen edhe problemet e mëdha socio-ekonomike që i kemi, po mbi të gjitha e kisha përmendur problemin e raporteve ndërkombëtare. Ne po jetojmë në një kohë kur ka zhvillime të shpejta edhe të paparashikueshme dhe fakti që Kosova për shkak të problemeve politike nuk ka qenë e gatshme me qenë pjesë e takimeve të ndryshme, pjesë e aktiviteteve të ndryshme, mendoj që ekziston rreziku, ka ekzistuar vazhdimisht e ekziston rreziku akoma që në një formë apo tjetër ne të afektohemi prej vendimeve të cilat do të merren për neve edhe pa neve”, tha ai.
Ai ka vlerësuar se si një demokraci e re me sistem politik të ndërlikuar, Kosova mbetet e ekspozuar ndaj bllokadave të shpeshta, të cilat, sipas tij, dëmtojnë kulturën e përgjithshme politike.
“Po ne jemi një demokraci e re, e kemi një sistem politik shumë të ndërlikuar edhe rreziku për bllokada është i vazhdueshëm. Sigurisht që këto bllokada ndikojnë keq edhe në kulturën politike të përgjithshme. Shpresoj që bllokadat mos të bëhen normë, sado që edhe për shkak të tash zgjedhjes së presidentit apo presidentes vazhdimisht po dëgjojmë komente të cilat fatkeqësisht mund ta shpijnë vendin në zhvillime të reja politike, në zgjedhje të parakohshme e të tjera”, tha ai.
Muja ka shtuar se kjo situatë njëkohësisht shkakton paqartësi edhe tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, kërkojnë adresë të qartë politike dhe parashikueshmëri, dy elemente që ai vlerëson se kanë munguar gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Mos moskonstituimi i institucioneve apo paaftësia e klasës politike për materializimin e vullnetit politik të qytetarëve përmes zgjedhjeve, sigurisht që në njërën anë krijon shterpësi politike, pra mosbesueshmëri të qytetarëve në sistemin politik, në klasën politike, por në anën tjetër sigurisht që edhe te partnerët ndërkombëtarë krijon huti, sepse partnerët ndërkombëtarë i kërkojnë dy gjëra, kërkojnë adresë politike dhe kërkojnë parashikueshmëri. Dhe situatën në çfarë kemi qenë deri tash fatkeqësisht kanë munguar të dyja”, tha ai.

