Ish ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, nuk mungon në ditët e shënuara të shtetit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Walker i cili ngriti zërin për masakrën e Reçakut, këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, vizitoi Shtimen bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Walker për dallim nga herët e kaluara ishte në përurimin e palestrës sportive në Shtime.
Ai tha se sa herë vjen në këtë qytet atë e përcjellin kujtime të zymta pasi që atij këtu gjithmonë i kujtohet masakra e Reçakut.
“Jam këtë pasdite nga një befasi dhe shumë papritur që të vij këtë dhe ta shoh këtë sallë shumë të bukur. Çdo herë që e vizitoj Shtimen unë vij për një rast të zymtë që ka ndodhë para 20 vitesh si masakra e Reçakut”, tha Walker, raporton Ekonomia Online.
Ish ambasadori Walker tha se Kosova nuk duhet të veçohet vetëm për lajme të këqija por edhe të mira.
“I ndjeka lajmet për Kosovën që paraqiten në lajmet ndërkombëtare dhe zakonisht ka disa lajme të këqija. Medaljet e arta në xhudo, futbollistët kosovarë që luajnë në ekipe të famshme ndërkombëtare janë lajme të mira që vijnë shpesh nga Kosova edhe në sport e kulturë që ju e keni dëshmuar. Jam shumë i gëzuar që jam këtu në këtë moment me ju. Do doja të dëgjoj edhe emra të rinj nga qyteti i Shtimes që marrin medalje anembanë botës”, tha ai.