Analisti Shkodran Ramadani ka ndarë me miqtë e tij në Facebook një postim si reagim ndaj skandalit me Dhomën e Përgjimeve, ku dyshohet të jenë futur të paktën Xhelal Sveçla dhe Haki Abazi.
Këto dyshime i nxiti një deklaratë e dhënë nga presidenti Hashim Thaçi gjatë mbrëmjes së kaluar.
Sveçla ende nuk është deklaruar për media ndërkohë që për rastin ka folur kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, e cila tha se e kishte ftuar ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme por shtoi se ai “nuk ishte në Dhomën e Përgjimeve.”
Megjithatë, mënyra se si foli ajo ka nxitur dyshime mbi vërtetësinë e kësaj deklarate.
Ramadani dyshon se “këta njerëz ndoshta posedojnë tani edhe bisedat më intime të qytetarëve.”
Ai e ka quajtur një veprim të tillë si “të paprecedent dhe të pafalshëm” ndërkohë që ka kritikuar edhe kryeshefen që i ka lejuar vetes të instrumentalizohet për agjenda politike.