Njëri i akuzuar për vrasjen në Baks thotë që s’e di si i ka shkrepur arma, dy tjerët mbrohen në heshtje

Prishtinë | 10 Kor 2024 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Rexhep Rexhepi dhe Fiton Musliu u mbrojtën në heshtje. Ndërsa, i akuzuari Shukri Rexhepi ka dhënë mbrojtjen, teksa deklaroi se nuk e di si i ka shkrepur arma nga duart.

Në këtë rast, të akuzuarit Shukri dhe Rexhep Rexhepi në bashkëkryerje po ngarkohen për vrasje të rëndë të B.M, në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt. Kurse, Fiton Musliu ngarkohet për vrasje të mbetur në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Shukri Rexhepi tha se i akuzuari Fiton Musliu me pushkë të gjuetisë ka shtënë në drejtim të tij një herë, duke e plagosur në anën e majtë të belit.

Shukri Rexhepi akuzohet se kishte shtënë me AK-47 në ditën kritike e si pasojë ishte privuar nga jeta B.M. Në seancën e së mërkurës, i akuzuari tha se nuk i kujtohet nëse e ka përdorur armën në ditën kritike dhe nuk e di se si ka shkrepur arma nga duart e tij.

Sipas të akuzuarit, kur është kthyer rrugës në shtëpi, atëherë e ka hequr municionin nga arma e tij dhe e ka parë që mungojnë 7 plumba, pasi në pushkën automatike të tij kanë qenë 15 plumba. Ai kishte parë se i kishin mbetur vetëm 8 plumba.

Prokurorja Fetije Bajrami e pyeti se e kujt ka qenë arma dhe ku e ka marrë, ndërsa i akuzuari tha se arma ka qenë e tij dhe se e posedon që nga lufta.

I akuzuari deklaroi se armën e kishte vendosur në bagazh të automjetit një ditë para ngjarjes kritike për shkak të sigurisë, pasi në vendin ku ka qenë arma thotë se kishin pritur mysafirët me rastin e dasmës së motrës së tij.

Shukri Rexhepi tha se nuk ka qenë në dijeni që i mituri F.R., djali i vëllait të tij (Rexhep Rexhepi), ka pasur probleme më herët me Agim Musliun (vëllain e viktimës). Tha se këtë e ka kuptuar pasi kishte ndodhur rasti.

Ai tha se pas ngjarjes që ka ndodhur, pas disa ditësh e kishte kuptuar që nipi F.R., e ka drejtuar automjetin, ndërsa Agim Musliu kishte dalë dhe e kishte dëmtuar automjetin.

I akuzuari Shukri tha se para se të shkojnë në dyqan të blejnë pije, nuk kanë pasur asnjë marrëveshje me vëllain e tij Rexhep Rexhepin për të shkuar për ta vrarë tani të ndjerin B.M apo ndonjë anëtar tjetër të familjes Musliu.

“Në asnjë mënyrë, as nuk kemi pas marrëveshje, as nuk jemi nisur për ta privuar dikë nga jeta dhe as nuk kemi shkuar t’i privojmë nga jeta. I gjithë rasti që ka ndodhë, ka ndodhur aty për aty, dhe nga ana ime që kam pasur pushkën automatike ka ndodhur pa dashjen time dhe pa vetëdijen time”, tha i akuzuari Shukri Rexhepi.

Ndërsa, të akuzuarit Rexhep Rexhepi dhe Fiton Musliu deklaruan se dëshirojnë të shfrytëzojnë të drejtën të mbrohen në heshtje.

Në seancën e radhës është planifikuar paraqitja e fjalëve përfundimtare nga ana e palëve.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.

Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.

Të ngjashme