Tre nxënës të mitur kanë marrë plagë nga thika, gjatë incidentit, që ndodhi sot pasdite në një shkollë në Prishtinë.
Njëri nga nxënësit është në gjendje të rëndë, ka bërë të ditur Naser Syla, mjek në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Njëri nga ta është në gjendje shumë të rëndë dhe ka plagë të ndryshme të shkaktuara në trup, që ia rrezikojnë jetën”, tha Syla.
“Janë kryer të gjitha ekzaminimet këtu në QKUK. Njëri nga ta është në sallën emergjente dhe është duke luftuar për jetën. Ndërsa tjetrin po e mbajmë në observim këtu. Edhe për të po kryhen të gjitha ekzaminimet; kurse rasti i tretë e ka marrë trajtimin e duhur dhe është liruar në shtëpi”, ka thënë Syla.
Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten rreth orës 16:00 janë therur me thikë tre të mitur në një shkollë në lagjen “Emshir” në Prishtinë.
Sipas njoftimit, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga hetuesit e stacionit policor të Jugu si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
Personat e lënduar, A. A, 16 vjeç, Sh.B, 17 vjeç, dhe Sh. A, 17 vjeç, të cilët kanë marrë plagë nga thika dhe të njëjtit menjëherë janë dërguar për trajtim mjekësor .
Në kuadër të veprimeve të saj, policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Si rezultat i kësaj policia ka arritur të identifikojë tre persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre.