Presidenti i Komisionit për Çështje Evropiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum është njëri nga njerëzit më të besuar të kancelares Merkel. Pas përfundimit të Samiti të Sofjes, diplomati gjerman ka thënë se ky samit ishte sinjal për perspektivën e qartë evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“E vlerësojmë këtë samit sepse ishte intesifikim i bashkëpunimit ekonomik dhe jep mundësi të reja. Kjo është shenjë e mirë e asaj që së shpejti do të mbahet edhe samiti i ardhshëm, kur e kujtojmë se i fundit ishte mbajtur 15 vjet më parë”, tha Krichbaum për gazetën serbe Politika.
Tutje ai theksoi se pa një normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia do ta kenë të pamundur rrugën drejt BE-së, transmeton lajmi.net.
I pyetur se a do të mund të ketë ndarje të Kosovës, apo njohje të pavarësisë nga Serbia, Krichbaum tha se “normalizimi do të thotë normalizim, as më pak dhe as më shumë”.
“Qëllimi ka qenë që raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të normalizohen plotësisht para anëtarësimit në BE. Vetëm në këtë mënyrë këto dy shtete do të arrijnë perspektivën evropiane. BE-ja është projekt i paqes, dhe nuk duam të importojmë konflikte”, theksoi Gunther Krichbaum.
Ndryshe në Samitin që u mbajt në Sofje u takuan edhe presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, me kancelaren Angela Merkel.
Temë kryesore ishte arritja e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve, qëpo thuhet se më së voni do të jetë deri në fillimin e vitit 2019.