Njeriu, ekonomia, pushteti, tërmeti

Prishtinë | 01 Dhj 2019 | 11:49 | Nga Artan Fuga

Rendimenti i kapitalit të investuar në ndërtim,
kursimi në çmimin e tokës truall për cdo ndërtesë,
ulja e kostove për një apartament të shitur,
shfrytëzimi i truallit në mënyrë të dendur për ndërtim për të zgjeruar tregun e ndërtimeve,
ndërtimet e larta për të krijuar tregun monopol për sipërmarrjet e mëdha të ndërtimeve,
Frenezia e ndërtimeve për të nxjerrë shpenzimet e teknologjisë së ndërtimit (vinça; eskavatorë, etj.)
Rritja e normës së fitimit duke ulur koston për cdo metër katror të ndërtuar në lartësi,
Dëshira për të investuar në ndërtim për të larë paranë informale,

nuk mund të vlejnë para jetës së njerëzve.

Kësaj politike mund t’i thonë STOOOOOP! vetëm qytetarët në pushtetin lokal dhe jo këshillat bashkiake gjysmagjel pa opozitë dhe me të emëruar nga nëpunës të lartë qendrorë!

+++

Ne nuk mund të pranojmë të flemë, hamë, rrisim fëmijët me dhjetra kate sipër nesh që vallëzojnë në vallen e vdekjes apo të vallëzojmë në katet e dhjeta si kometa qiellore që shuhen!

Ne nuk mund të pranojmë të flemë, hamë, bëjmë banjë, presim miq, rrisim fëmijë, duam, urrejmë, brenda arkivoleve dhjet a pesëmbëdhjet katësh!

Ne nuk mund të pranojmë të kemi për varr kulme gërmadhash banesash ku kemi jetuar!

Ne nuk mund të jetojmë heroikisht çdo sekondë të jetës sonë duke flirtuar me vdekjen.

Ne nuk mund të ngrysemi duke pyetur : a do të gdhihemi?

Ne nuk mund të jetojmë me urimin e fshehtë : Ishallah më bie një tullë në kokë e të iki pa vuajtur sesa të shuhem i paralizuar!

Ne nuk mund të jetojmë me dridhje në trup pa kuptuar nëse bie tërmet, lëkundet binaja jonë sipër kokës apo tensioni i gjakut ka shkuar në tru.

Ne nuk mund të jetojmë si muhaxhirë me helmeta në kokë, me çanta shpine bërë gati, me vetura të ndezura për të marrë në cdo çast arratinë andej nga Pogradeci, Korça, a Galigati.

Këto janë parimet bazë të rindërtimit të një modeli tjetër urban!

Të ngjashme