“Njeriu i ri socialist” si njeriu i shpifur digjital

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 01:24 | Nga Milazim Krasniqi

Lidhur me manifestimin e destruktivitetit në komunikim, me anën e identiteteve të rreme, nëpërmjet keqcitimeve, shifjeve, thashethemeve dhe intrigive,e në rastin tonë shqiptar, ia vlen të mirret në konsiderim edhe trashëgimia nga e kaluara, e cila është e lidhur shumë me oralitetin dhe anonimatin. Informata e bartur nga goja në gojë e nga veshi në vesh, ëshë ndërruar në keqcitim, parafrazim de deformim të mesazhit, përshkon historinë më të gjatë të komunikimit ndërmjet ne shqiptarëve.

Komunikimet e kësaj natyre nuk kanë pasur autorë, nuk kanë pasur adresë, ashtu që për një ngjarje janë krijuar vazhdimisht më shumë versione, më shumë motërzime, duke e relativizuar dhe maskuar të vërtetën. Ky ka qenë diskursi dominant ndër shekuj, por është prezent edhe në ditët tona dhe jo pa ndikim edhe në komunikimin në internet.

Marshall McLlluhani ka gjetur se te popujt që e kanë përdorur shkrimin më herët, është përftuar një komunikim më preciz, më strandard, se sa tek popujt ku ka dominuar komunikimi oral. Në të ardhmen duhet të hulumtohet se si përkthehet ajo përvojë në komunikimin në internet, veçmas në rastin e ne shqiptarëve, ku alfabetizimi i masave, ka koinciduar fillimisht me komunizmin dhe së voni edhe me përhapjen e internetit. Sa është bartë ajo prirje e keqcitimeve, e deformimit të mesazhit, e denoncimit, e thashethemnajes dhe e relativizimit të së vërtetës, e cila ka qenë e sedimentuar nga komunikimi oral dhe nga ideologjia komuniste, në komunikimin digjital?

Është pyetje e mirë, por duhet të presë ende për një përgjigje të qartë. Sidoqoftë, njeriu shqiptar i dalë nga komunikimi mijëravjeçar oral dhe nga regjimi gjysmëshekullor komunist e i futur befas në komunikimin digjital, është konkret dhe nuk ka kaluar nëpër ndonjë proces transformimi significant, as moral as arsimor, as ligjor.

Bile, ky është njeri edhe me trashëgiminë autodestruktive bizantine, me trashëgiminë cubnore e kanunore provinciale, njeriu me sedimente të mentalitetit sllav dhe njeriu me tjetërsimin moral e ideologjik të projektit të “njeriut të ri socialist”.

Kjo sajesë tash është shndërruar mekanikisht në “njeri digjital.” Platformat e komunikimit digjital i mundësojnë të shprehë edhe të gjitha frustrimet, mëritë, urrejtjet, krahas ëndrrave, iluzioneve, idealeve dhe vlerave.

Kakofonia, në formë të krizës postmoderniste mbi identitetin social, fetar e nacional ekziston brenda tij. Mungesa e subtilitetit dhe e imagjinatës bën që të shprehë më shumë të parat se sa të dytat. Këtu jemi. Në të ardhmen interneti mund të përdoret që ta arrijmë transformimin moral, arsimor e ligjor, rrjedhimisht që të gjejmë akordin me kohën kur jetojmë dhe paqen me veten, pa pasur nevojë të ikim prej vetes.

Por, nëse internet nuk përdoret në këtë drejtim, ai do ta stimulojë edhe më shumë autodestruksionin me prejardhje bizantine, cubninë me prejardhje kanunore dhe imoralitetin me prejardhje komuniste.

Në vend se të kontribuojë në transformim, mund të ndikojë në shtimin e virulencës së atyre veseve edhe më shumë se sa sot. Pra, nëse duhet të iket nga ndonjë gjë, duhet të iket nga trashëgimia kobzezë e autodestruksionit bizantin, e rebelizmit kanunor dhe e çmoralizimit komunist.

Duhet të shkëputemi nga trashëgimia e hidhur. Jo nga e tashmja, jo nga vlerat e saj. Me to duhet ta gjejmë paqen, duke synuar paqen me veten, si stadin final të vetërealizimit.

Të ngjashme