Në Krushë të Madhe është shënuar 27-vjetori i masakrës, ku familjarët e viktimave kanë shprehur dhimbjen dhe zhgënjimin për mungesën e drejtësisë dhe vëmendjes institucionale për krimet e kryera gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.
Nga 25 deri më 27 mars 1999, forcat serbe masakruan 243 civilë shqiptarë dhe dogjën 893 shtëpi private e shoqërore, ndërsa kjo masakër konsiderohet më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Edhe pas 27 vitesh, shumë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe pa një fat të zbardhur.
Kymete Hoti, nëna e Asaf Hotit të vrarë në këtë masakër, tha se përvjetorët po harrohen dhe se institucionet nuk po tregojnë kujdes për familjarët e viktimave.
Ajo tha se djali i saj ishte 25 vjeç dhe student i vitit të dytë në Fakultetin e Gjeografisë në Prishtinë, ndërsa shtoi se sot askush nuk po i përmend më këto ngjarje dhe se, sipas saj, institucionet janë të përqendruara në interesat e tyre.
“Qeto përvjetora tani më po i harrojmë. Kërkush s’po i përmend më. Njeriu më i fort se guri. Djali im, Asafi, i kishte 25 vjet. Ishte në shkollë në Prishtinë, fakultet në Gjeografi vitin e dytë. Këtë ditë me tana kërkush s’po i përmend, po punojnë vetëm për vete, për karriget e veta. Se për ne me kurgja. Që 27 vjet që. As nuk po na këqyrin, as nuk po na respektojnë, s’vjen kush me na këqyrë”, tha ajo.
Ajo kërkoi drejtësi për viktimat, duke theksuar se përgjegjësit duhet të dënohen.
“Duhet me i dënu. Ne ia kemi lënë në dorë shtetit. Kërkush spo ka dert. Mu kanë 240 kingja, e jo 200 a doktorë, a profesorë, a studentë që i kanë mbytë. Shteti i ka fajet. Duhet me i dënu. Duhet”, tha ajo.
Nasibe Nolli, familjare e disa viktimave të masakrës, tha se familja e saj ka humbur 13 anëtarë dhe se dhimbja mbetet e madhe, pavarësisht krenarisë për sakrificën e tyre.
Ajo tha se është motër e viktimave dhe se ndihet pjesë e gjithë Krushës dhe Kosovës, ndërsa kërkoi angazhim më të madh institucional për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Jam motër e Agimit, Shabanit, Besimit. Këta janë djemtë e axhës të dytë. 13 të vramë kemi djemtë e axhës, axhën familja jonë Nolli që jemi që u bë masakra te naltja, nalt përmbi xhami. Jam motër e krejt Krushës e krejt Kosovës”.
“Po thirrja jonë për institucionet të punojnë më tepër. I lusim institucionet se i kam edhe djalin e axhës të zhdukur, e kam një kushëri të zhdukur, në të punojnë në këtë aspekt sa më tepër e në të zbardhet fati i tyre të paktën ta vizitojmë vendin ku prehen ata, t’ia vendosim një lule, të nihemi ma qetë në shpirt. Shumë dhimbje e madhe o për këta, po kur po e bëjmë mend që po vijmë këtu, dhanë jetën për liri që po e gëzojmë sot, jemi krenar me thanë, krenar që kanë shku për vendin tonë jemi krenar, po dhimbja ashtë shumë e madhe. Dhimbja e mund krenarinë”, tha ajo.
Edhe Mufail Bajrami, familjar i një viktime, tha se edhe pas 27 vitesh nuk është bërë mjaftueshëm për zbardhjen e krimeve dhe se institucionet kanë dështuar në këtë drejtim.
Ai tha se vëllai i tij u vra në këtë zonë dhe se fillimisht ishte varrosur në një fshat tjetër, por më pas është rivarrosur në Krushë të Madhe, duke shtuar se familjarët vazhdojnë të jetojnë me pasojat e luftës.
“Përndryshe, vëllai është i vrarë këtu në fshat, afër Krushës së Madhe. Tani po, e kemi bërë rivarrimin edhe këtu është varrosur. Se kemi pasë tërheq me punë në Cerralevë, po masi ka qenë me shokët e vet, e kemi lënë në Krushë të Madhe. Po që 27 vjet asgjë nuk është bërë për këto masakra në gjithë Kosovën çka kanë bërë serbët, po ne apet asnjë qeveri deri sot ka mujt me zgjidh këtë problematikë, po m’duket e kanë lënë si mbas dore. Po tashti ata e dinë më së miri se çka duhet me bë, po familjarët e të vrarëve, se ky vëllai është vrarë”.
“Vëllai i ka lënë vajzën e ka pasë, djali i ka lind dy muaj masi është vrarë vëllai. Tashti u bënë 27 vjet, kush për këtë masakër, e shihni edhe vetë, kush nuk ka dhënë përgjegjësi, që me iniciu, vetëm këta banorët e Krushës së Madhe çka janë tu u mundu me mish e me shpirt, po m’duket nuk po mund me gjetë një fjalë miradie, që me u dhënë një kurajo, se e dinë dhimbjen e tyre. Po çfarë t’ju bëjmë tash? Kanë thënë shteti është shtet, po shteti më së pakti është tu punu për këtë që ne sot po e gëzojmë këtë liri”, tha ai.
Sot është shënuar 27 vjetori i Masakres se Krushë se Madhe. Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën, dhe sot shënohet 27-vjetori i kësaj masakre.
Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Për fat të keq, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.
Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat./EkonomiaOnline