Ndoshta në dekadat e ardhme, qyteza e Bucha-s, rreth 15 minuta nga kryeqyteti ukrainas Kiev, do të kujtohet ende në memorien e opinionit ndërkombëtar. Në këtë qytezë anonime, që shërben më së shumti si “hotel” për punëtorë të shumtë që punojnë në Kiev dhe nuk përballojnë dot qiratë e kryeqytetit, ditët e fundit të marsit është kryer ajo që po merr dimensioni e një prej krimeve më brutale nga Lufta e Dytë Botërore në territorin europian.
Si në Srebrenicë, si në Reçak, si në teatrin Bataclan, Bucha do të jetë një nga emrat që do të mbetet si simbol i tragjedisë së luftës dhe i zhvlerësimit të njeriut në ketë lloj situate.
Varre masive me qindra civilë, përballë kishës ku ata zakonisht luteshin, kufoma në çdo cep, në çdo rrugicë, shpesh herë me duart e lidhura dhe një plumb pas shpine, pasojë e një ekzekutimi me gjak të ftohtë.
“Një skenë filmi horror”, dëshmojnë gazetarët e parë që u dërguan në Kucha, pas tërheqjes së trupave ruse. Por kush janë autorët e kësaj masakre, që po shtyn vendet perëndimor edhe SHBA të cilësojnë Vladimir Putin si kriminel lufte?
Sipas disa grupeve aktivistësh në terren, të bazuar a në dëshmitë e të mbijetuarve por edhe në pamjet satelitore, me shumë gjasa lideri i “kasapëve” mund të jetë koloneli Omurekov Azatbek Asanbekovich, që drejton njësinë 51460, pjesë e brigadës së 64-t të artilerisë së motorizuar.
Një njësi që vjen nga larg, nga skajet më të largëta ruse, në atë Siberinë aziatike ku panorama është po e njëjtë dhe asgjë nuk ndodh dhe do të ndodhë ndonjëherë.
Sipas burimeve, njësia 51460 vinte nga fshati Knyaze-Volkonskoye, në territorin e Çabarovskit, sipër Koresë së Veriut.
Dhe pamjet e para që qarkullojnë në rrjet të kësaj njësie, tregon pikërisht të rinj me karakteristikat fizike të atyre zonave, teksa valëvisin flamurin e republikës ruse të Sahasë (ose Jakutia), një territor i stërmadh që kronikat ndërkombëtare njohin më së shumti për të ftohtin e madh dhe për fildishin e mamutëve prehistorikë që zbulohet herë pas here nga shkrirja e permafrostit.
Duket e pabesueshme që në ato fytyra të qeshura mund të kenë kryer vrasje, përdhunime dhe ekzekutime brutale grash, të moshuarish dhe fëmijësh, por të dhënat tregojnë pikërisht për praninë e kësaj njësie në Bucha. Emrat e tyre po shpërndahen në rrjet nga aktivistët, dhe nuk do të kalojë shumë kohë para se ata të përballen me akuzën e krimeve të luftës.
Ndoshta, është thjesht një rastësi, por nuk mund të mos rrëqethë koincidenca, e hulumtuar nga A2 CNN, që fshati Knyaze-Volkonskoye, ku zakonisht rri njësia, është kryesisht i njohur në mediat ruse për një ushtarë i asaj kazerme, Artyom Grabovoi, i njohur si maniaku i Knyaze-Volkonskoye dhe i akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen me metoda brutale të disa grave në vitin 2014./A2News/