Moderatorja e njohur Klea Huta e ka thënë shpesh nëpër intervista se i gjithë suksesi i saj në art i dedikohet familjes, prindërve dhe dy motrave, Ledias dhe Enit. Por nuk ka qenë e lehtë as për familjen Huta, ashtu si për shumë familje artistësh. Nëse njëri shkëlqen në skena, shumë të tjerë pas tij sakrifikojnë jo pak. Kështu ka ndodhur edhe për familjen e Kleas dhe jo vetëm për të, por edhe për motrën tjetër, Ledian, e cila merret me skenografi – po ashtu një fushë e artit, e cila kërkon jo më pak sakrifica.
Të dyja motrat kanë qenë të ftuara pasditen e sotme në “Pasdite në Top Channel” dhe kanë rrëfyer më shumë për familjen e tyre të bashkuar, me gjithë sakrificat që duhet të bëjnë sidomos ata që nuk duken nga ekrani.
Pasioni i madh i Kleas për të qenë pjesë e artit nuk ka pasur gjithmonë mbështetjen e familjes. Ose, më mirë, nuk është mbështetur nga të gjithë anëtarët e saj. Kështu, të paktën, ka qenë në fillim për Klean, siҫ tregoi ajo sot, për “Pasdite në Top Channel”:
“Mbështetjen më të madhe për të qenë pjesë e artit e kam pasur nga babi. Mami nuk ka qenë dakord as që unë të vijoja studimet në Universitetin e Arteve. Si gjithonë, nënat me merakun “ku do të fillosh punë, ҫfarë do bësh me art…” Deri vonë mami nuk ka dashur, por në këtë pikë kisha babin mbështetës.”
Ndërsa Ledia është gjithmonë krahu i dhjathtë i Kleas. Ajo është me të edhe kur nuk është fizikisht. Ato janë motra dhe shoqe të ngushta, pa përjashtuar edhe motrën më të vogël, Enin, e cila gjithashtu është po kaq e ëmbël sa motrat e mëdha. Që ato të tria të ndjekin me profesionalizëm dhe dinjitet rrugën e tyre nuk ka qenë e lehtë dhe nuk është, por të paktën Klea dhe Ledia, tashmë janë të rritura dhe e kuptojnë mjaft mirë ҫ’do të thotë të rritësh tri vajza, dy prej të cilave janë artiste:
“Tani që jam rritur, e kuptoj shumë mirë se ҫ’do të thotë të rritësh vajza. Prindërit tanë janë dy heronj. Të gjithë kanë fëmijë, kanë vajza dhe të gjithë prindërit sakrifikojnë shumë për fëmijët e tyre, por të mbash familjen me dy vajza që i janë futur rrugës së artit nuk është e lehtë…”, tregon Klea duke iu referuar dy prindërve të saj, pa e ditur që njëri ishte vetëm disa metra larg.
I ftuar për t’i bërë surprizë së bijës, Ilir Huta tha se sot është krenar për vajzat e tij, edhe pse me to i është dashur të punojë shumë, sidomos me Klean: “Me Klean kemi punuar shumë, që kur ishte e vogël dhe sot jam shumë i kënaqur”, thotë i ati, por nxiton të shtojë se, megjithatë, ka akoma edhe shumë punë për të bërë: “Kërkoj edhe më shumë nga ajo. Ëndrra më e madhe që kam për Klean është ta shoh si aktore, të jetë një profesioniste e vërtetë.”
Një familje si ajo e Kleas dhe e Ledias është një familje si e shumicës prej nesh, tradicionale dhe me rregulla: “Unë edhe sot jam e kontrolluar në shtëpi”, thotë Klea, edhe pse me të qeshur, duke shtuar se familja ka rregulla. Dhe të gjithë e dimë se nga ato rregulla të para të gjenezës sonë mësojmë të respektojmë rregullat e shoqërisë e më tej të gjitha rregullat e jetës.