Njihuni me shtetin që ka regjistruar vetëm 30 vdekje nga COVID-19

Prishtinë | 21 Mar 2021 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

I vendosur në pjesën veriore të oqeanit Atlantik ishulli i Islandës është shembulli ideal për menaxhimin e pandemisë së coronavirusit të ri dhe arritjes për të jetuar një jetë normale dhe të qetë pa shqetësimet qe covid-19 ka sjellë në të gjithë pjesën tjetër të botës.

Ishulli i vogël regjistron deri tani më pak se 30 vdekje që nga fillimi i pandemisë, ndërsa prej javësh nuk ka shënuar asnjë humbje jete dhe shifrat e infektimeve janë në minimum.

Aktualisht banoret e ishullit të Islandës jetojnë çdo ditë sikur covid-19 mos të kishte ekzistuar kurrë. Nxënësit frekuentojnë rregullisht shkollat, baret dhe restorantet janë plotësisht të hapur dhe askush nuk ndjen stres kur futet aty, ndërsa turistët gjejnë paqe teksa vizitojnë ketë vend të mrekullueshëm.

Programi i suksesshëm i testimit dhe vaksinimit, qeveria transparente dhe qytetarë të disiplinuar, janë hallkat e menaxhimit të situatës që në fillimet e pandemisë. Aktualisht vendi ka shënuar edhe rimëkëmbje ekonomike çfarë ka sjellë edhe qetësinë në jetën e përditshme.

Megjithatë faktori kryesor ne suksesin e ishullit për të jetuar në normalitet të plote me sa duket ishte izolimi. Ky shtet ishullor gjendet i izoluar gjeografikisht dhe ka një popullsi prej rreth 350 mijë banorë.

Ajo çfarë ishte thelbësore në këtë situatë ishte edhe mënyra se si opinioni publik, qytetaret në Islandë kane marrë pjesë në gjithçka. Njerëzit vërtetë filluan t’i besojnë këshillave të ekspertëve dhe shkencëtarëve duke ndërruar kështu edhe sjelljet e tyre. Por jo vetëm vendasit por edhe turistet kane treguar një sjellje shembullore që në qershorin e kaluar atëherë kur ishulli hoqi izolimet për ta.

Islanda deri më tani ka vaksinuar afro 13 mijë banorë, e rreth 34 mijë tjerë kanë marrë të paktën njërën dozë, kurse pritet që edhe 21 mijë tjerë t’i nënshtrohen procesit të vaksinimit.

Megjithë situatën thuajse plotësisht normale, autoritetet po mendojnë te vendosin si kusht pajisjen me pasaportën e vaksinave për këdo qe do te hyje ne Islandë në të ardhmen.

Megjithatë pandemia dhe shqetësimi prej pasojave te saj duket se i kane lëne radhën fenomeneve natyrore siç është edhe zgjimi pas 900 vitesh i vullkanit me te madh ne ishull.

Të ngjashme