Presidetja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën kur e ka shkarkuar nga detyra kryesuesën e KQZ-së, Valdete Daken, kështu po vlerëson njohësi i kësaj çështje, Përparim Gruda.
“Presidentja ka shkelur Kushtetutën kur ka shkarkuar kryesuesen e KQZ-së. Kjo për shkak së Kushtetuta nuk i jep autorizim për të bërë një gjë të tillë. Është Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme ai që përcakton kushtet nën të cilat mund të shkarkohet kryesuesja e KQZ-së, ato kushte nuk janë përmbushur në këtë rast, prandaj presidentja me këtë vendim ka dal jashtë mandatit të saj dhe ka ndërhyre në mënyrë jo kushtetuese në një institucion të pavarur siç është KQZ-ja” ka thënë ai.
Me tej Gruda ka vlerësuar se edhe nëse Gjykata Kushtetuese gjen se presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën kur ka shkarkuar kryesuesen e KQZ-së, ajo nuk mund të shkarkohet nga ana e Kuvendit sepse shkelja nuk është serioze.
“Sipas nenit 113, paragrafi të Kushtetutës, tridhjetë (30) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë të autorizuar të ngrenë çështjen nëse Presidenti i Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës”
“Rasti konkret, mendoj që presidentja nuk ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës. Kjo sepse që të konsiderohet një shkelje serioze në kuptim të nenit 113, paragrafi 6 të Kushtetutës, ajo duhet të prek substancën themelore të kushtetutës, të ketë efekte praktike në jetën publike, të jetë e pakthyeshme, pra që nuk mund të riparohet nga ana e presidentes, dhe që pasojat e saj janë reflektuar praktikisht në rendin juridik dhe ato pasoj të jene evidentuar qarte nga Gjykata kushtetuese”
“Pra, edhe nëse Gjykata Kushtetuese gjen se presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën kur ka shkarkuar kryesuesen e KQZ-së, ajo nuk mund të shkarkohet nga ana e Kuvendit sepse shkelja nuk është serioze, siç kërkohet me Kushtetutë” ka përfunduar ai në një përgjigje për EO.