Njohësi i sigurisë: FSK-ja dëshmoi profesionalizëm të lartë dhe se është në fazën e fundit drejt një ushtrie me të gjitha kapacitetet

Prishtinë | 30 Kor 2025 | 12:35 | Nga Diellza Gashi

Përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në aksionin për gjetjen e trupit të pajetë të mërgimtarit 33-vjeçarit në Liqenin e Ujmanit, po shihet si dëshmi e shkallës përherë në rritje të përgatitjes së FSK-së për sprova serioze.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami, në intervistë për Ekonomia Online, vlerësoi profesionalizmin e FSK-së dhe theksoi rëndësinë e koordinimit mes institucioneve për suksesin e operacioneve të tilla.

“Besoj që Forca e Sigurisë së Kosovës jo vetëm që dje ka dëshmuar profesionalizëm të lartë, por edhe ka dëshmuar që me të vërtetë është në fazën e fundit përfundimtare të një ushtrie me të gjitha kapacitetet e saj.
Kur institucionet shtetërore e bëjnë organizimin të një rasti sikur ky dhe kur puna në hallkë zinxhirore është duke koordinuar atëherë suksesi nuk mungon. Kjo është parë edhe me rastin e djeshëm të kufomës e cila u nxor nga ana e FSK-së së bashku me ekipet”, tha Islami.

Islami përgëzoi FSK-në për angazhimin dhe gatishmërinë në shërbim të qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare.

“Kemi pasur raste të tjera dhe me ditë të tëra nuk kanë mundur që t’i gjejnë kufomat. Edhe pse sigurisht për familjarët ka qenë e vështirë pritja, sepse është ditur që ka ndërruar jetë dhe është në ato ujëra. Duke pasur parasysh kushtet atmosferike dhe thellësinë, u deklaruan edhe Policia e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave që ne nuk kanë pajisje të mjaftueshme për nxjerrjen e trupit të pajetë për atë arsye ishte e nevojshme që FSK-ja të ndërhyjë dhe ta nxjerrë trupin. E përgëzoj FSK-në, e cila është në shërbim të qytetarëve pa dallim se cilën racë, gjini apo fe i takojnë. FSK-ja ka marrë pjesë edhe në veriun e Kosovës, ku edhe disa qytetarë serb e patën humbur jetën”, tha ai.

Islami ndalet edhe në debatin se a u shfrytëzua tragjedia në Ujman edhe për poenë politikë.
“E vërteta është që rasti i Ujmanit nuk është politizuar, por është keqinterpretuar edhe pse ndoshta nuk është mirë që të merren dhe të lëshohen në interpretime të opinioneve të ndryshme, sepse zyrtarisht nuk ka pasur një politizim. Zyrtarët e shtetit kanë dalë zyrtarisht dhe nuk kam parë politizim, ndërsa opinionin duket që është i ndarë”, tha për Ekonomia Online Islami.

Të ngjashme