Një projekt i Serbisë i ashtuquajtur “Projekt 5000”, sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, synon t`i forcojë forcat speciale serbe, duke e rritur numrin e tyre nga 1500 në 5000. Edhe njohësit e sigurisë, këtë projekt serb e shohin si forcim të luftës së tyre hibride.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar një raport me titull: “Çka është “Projekti 5000” i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar”.
Sipas raportit, nisma “Projekt 5000” synon t’i forcojë forcat speciale serbe, duke e rritur numrin e tyre nga 1500 në 5000.
Ky raport shqyrton pasojat e tij të mundshme për paqen dhe stabilitetin rajonal. Njohësit e sigurisë, këtë projekt serb po e shohin si forcim të luftës së tyre hibride.
“Ky projekt është qysh moti është biseduar pra duke u thirr në atë se duhet reformuar Forcat e Armatosura përgjithësisht Sektorin e Sigurisë, duke i bërë këto Njësi Elite të lëvizshme operacionale për ndërhyrje, e kjo qon në aludim se këtu e ka një qëllim të zhvillimit të një lufte hibride ç’farë e kishte me grupin e Radojqiqit me 24 shtator. Pra, pasi që ai nuk ka një guxim të ndërhyjë me forcat e armatosura policie, ai shumë lehtë këto Njësi Elite i shndërron, vetëm ua heq shenjat të përkatësisë qoftë ato të shtetit, apo të përkatësisë së policisë, forcave të armatosura dhe të xhandarmërisë për ndërhyrje eventuale ç’farë e paralajmëroj me kërcënimin e vetë, ngase ai nuk ka të të drejtë të ballafaqohet, nuk ka guxim të ballafaqohet me NATO-n”, tha Nuredin Ibishi, analist.
“Projektin e publikuar sot e shoh real sepse është edhe ashtu, mirëpo edhe ne e kemi cekur përpara se kërcënimet nga Serbia kanë vazhduar, vazhdojnë e do të vazhdojnë dhe në të ardhmen. Çka është më e rëndësishmja ta ceku se është Aleanca NATO, po përforcohet dita ditës në Republikën e Kosovës dhe unë në aspektin e Sigurisë nuk shoh asnjë rrezik frontal e momental nga Serbia sepse është e pamundur në faktin se Kosova ka kapacitetet e saja të plota për reagim, ka aleancën e NATO-s dhe të gjithë shtetet mike që kujdesen për sigurinë e Republikës së Kosovës. Kërcënimet nuk do të ndalen, vigjilenca nuk ka alternativ”, tha analisti Arben Dashevci.
Raporti është rezultat i hulumtimit të ekspertëve të lartë në QKSS, i cili fton të gjitha palët që t’i shqyrtojnë gjetjet e raportit dhe t’i bashkohen dialogut për promovimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm të orientuar drejt një të ardhmeje në BE dhe në NATO.