NLB Banka është tashmë bankë partnere e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Kosovë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, BERZh-i i ka siguruar dy kredi në vlerë totale prej 10 milionë euro për NLB Bankën. Qëllimi i këtyre kredive është t’i mundësojë Bankës të mbështesë më tej klientët e saj biznese të vogla, duke përfshirë kompanitë e drejtuara ose në pronësi të grave.
Nga financimi i përgjithshëm, 7 milionë euro nga fondet e BERZh-it do të kanalizohen për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në mbarë Kosovën ndërsa 3 milionë euro do të mbështesin ndërmarrësinë e grave dhe do t’u ofrohen si kredi kompanive në pronësi ose të menaxhuara nga gratë. Kjo kredi është pjesë e Programit të BERZH-it Gratë në Biznes, një kombinim i kreditimit dhe shërbimeve këshilluese për gratë ndërmarrëse. Si pjesë e projektit, NLB Banka do prezantojë produkte të reja financimi të cilat do të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më të përshtatshme ndaj specifikave gjinore. Përveç kësaj, grave ndërmarrëse do t’iu ofrohet këshillim për biznes në kuadër të Programit të BERZh-it Këshillim për Biznesin e Vogël.
Kjo pjesë e kredisë së BERZh-it do të mbështetet nga Qeveria e Suedisë si donatore e fondeve që do të përdoren për këshillim për gratë ndërmarrëse dhe për ngritjen e kapaciteteve në NLB Banka. Mbështetja shtesë me fonde të donatorëve do të sigurohet në formën e mbulimit të një pjese të riskut dhe do të financohet nga Fondi i Posaçëm i Aksionarëve të BERZh-it.
NLB Banka Prishtinë është anëtare e Grupit NLB, një grup lider bankar dhe financiar me seli dhe interes strategjik ekskluziv në Evropën Juglindore. NLB Banka ka bashkëpunuar me BERZh-in në të kaluarën në kuadër të Programit për Ndërmjetësim të Tregtisë, por ky projekt është bashkëpunimi i parë në formë të kredisë.
Kreu i BERZH për Kosovën, Sergiy Maslichenko, u shpreh se prioriteti i tyre kryesor është mbështetja e sektorit privat, i cili luan një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Jemi të kënaqur që po bëhemi bashkë me NLB Banka Prishtina për kreditimin e bizneseve të vogla. Prioriteti ynë kryesor është mbështetja e sektorit privat, i cili luan një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit. Mbështetja e NMVM-ve dhe grave ndërmarrëse të Kosovës do të thotë gjithashtu mbështetje për krijimin e vendeve të punës dhe inovacionin, sepse bizneset e vogla janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të punësimit në vend. Në shumë raste, kreditimi për bizneset e vogla mund të ketë risk më të ulët sesa parashikojnë modelet ekzistuese të bankave lokale; por ne ju ofrojmë bankave tona partnere edhe mbulimin e një pjese të riskut, çka ua mundëson ta rrisin edhe më shumë portofolin e tyre të NVM-ve”.
Gazmend Kadriu, kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka, u shpreh se ky partneritet është shembull i përkushtimit të fortë ndaj stimulimit të rritjes ekonomike dhe promovimit të ndërmarrësisë në mbarë Kosovën.
“Jemi jashtëzakonisht mirënjohës BERZH-it për besimin dhe bashkëpunimin e tyre. Ky partneritet është shembull i përkushtimit të fortë ndaj stimulimit të rritjes ekonomike dhe promovimit të ndërmarrësisë në mbarë Kosovën. Kemi besim se kjo aleancë do të sigurojë rezultate të jashtëzakonshme, duke na lejuar të fuqizojmë NVM-të, të lartësojmë gratë ndërmarrëse, si dhe të krijojmë një të ardhme më premtuese për të gjitha palët e përfshira”.
Deri më sot, BERZH-i ka investuar më shumë se 600 milionë euro në Kosovë.