NLB Banka të mërkurën ka ndarë 100 000 € donacion për bamirësi, raporton Ekonomia Online. Organizatat përfituese nga ky donacion ishin: “Ndihmë fëmijëve me kancer”; Hanidkos-Podujeva; Shoqata “Autizmi”; Shtëpia e të moshuarve në Prishtinë; SOS Fshatrat e fëmijëve dhe Fondi për të punësuarit në NLB Banka.
Punonjësit e Grupit NLB Banka propozuan rreth 100 organizata dhe në fund me votim zgjodhën më shumë se 30 përfitues, duke përfshirë shoqata të ndryshme, organizata humanitare dhe grupe për të cilat do të dhurojmë ndihmë financiare.
Iliriana Nreca, drejtorësh për Marketing, Marrëdhënie me Publikun dhe Menaxhim të Projekteve, sqaroi se organizatat e përzgjedhura sipas votimit nga të punësuarit e Bankës mbulojnë disa fusha siç janë: kujdesi për fëmijët, kujdesi për familjet, kujdesi për të moshuarit, si dhe kujdesi për punonjësit që gjenden në vështirësi për shkak të ndonjë sëmundje të rëndë apo aksidenti.
Ajo ka shtuar se mbështetja e aktivitetet të tilla që përkrahin komunitetin do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim të përmirësimit së cilësisë së jetës në vendin tonë dhe për të ardhmen.
“Sot e kemi bërë ndarjen e donacionit prej 100 000 mijë euro për organizatat që ndihmojnë personat dhe komunitetin në nevojë. Iniciativa është e grupit NLB, normal që kemi marrë pjesë në iniciativë. Në prezantimin në rezultate financiare në tre mujorin e parë, grupi ka vendosur që një pjesë, një shumë të konsiderueshme prej 1.5 milionë euro ta ndajë për të gjitha bankat anëtare të grupit në rajon. Për Kosovën siç e thashë janë ndarë 100 000 euro, por e veçanta e këtij donacioni dhe bukuria e gjithë kësaj ka qenë në mënyrën se si është bërë shpërndarja. Ne kemi kërkuar nga stafi i bankës, pra kolegët tanë, që të bëjmë propozime për cilat organizata ata mendojnë se ne duhet ta ndajmë këtë donacion. I kemi pranuar diku 20 propozime prej stafit të bankës të cilat kanë dal në votim pastaj”.
“Në bazë të votave janë këto pesë organizata të cilat veç diskutuam sot, dhe e kanë marrë donacionin, të cilat janë votuar më së shumti dhe e kanë marr këtë donacion. Kështuqë për ne ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, e falënderojmë stafin të cilët kanë qenë shumë entuziastë, shumë aktivë në pjesëmarrje, si për propozime njëjtë edhe për votime. Ata thjesht kanë votuar për ata që kanë nevojë më së shumti, si shtresë e shoqërisë në komunitetin tonë. Kemi kryesisht organizata të cilat mbështesin fëmijët, fëmijët me kancer, me autizëm, fëmijët në rrezik të braktisjes prindërore, në të njëjtën kohë shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë. Kështuqë komplet donacioni ka qenë social, në fushën sociale, dhe besojmë se me këtë e kemi përmbushur dhe përmbledhur një pikë sado të vogël, sepse ne kemi shumë vende ku duhet të japim donacione por ne do të vazhdojmë prapë t’i mbështesim këto lloj aktivitete të cilat kontribuojnë në përmasimin e cilësisë së jetës së tyre në vendin tonë”.
Përderisa në fjalimet e tyre, përfituesit e donacioneve shprehën mirënjohjen e madhe për Bankën dhe theksuan se NLB është një shembull i vërtetë i një kompanie të përgjegjshme, me vetëdije për solidaritet dhe ndjeshmëri.
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, tha se ndihet mirënjohëse për këtë donacion dhe se do ta shfrytëzojnë për të moshuarit e shtëpisë së pleqve.
“Ne e kemi thënë në shumë raste se tek ne ka shumë rëndësi partneriteti që ndërtojmë me shoqërinë civile, me bizneset dhe ky është njëri prej atyre partneriteteve që po tregon se ka rezultate të mira sepse kemi përfituar si komunë e Prishtinës, si shtëpi e të moshuarve, pa përkujdesjen e familjarëve. Kemi përfituar një shumë prej 10 000 euro nga donacioni i dhënë nga Banka NLB për çka u jemi jashtëzakonisht mirënjohës duke e ditur rolin që kanë këto shtëpi, për t’u ofruar kujdes personave të cilët janë pa përkujdesje familjare prandaj për neve ka qenë shumë e rëndësishme që të vazhdojmë tutje me këtë ndihmesë dhe e falënderojmë jashtëzakonisht shumë bankën NLB e cila çdo herë është e gatshme për të qëndruar panë të moshuarve të Prishtinës, pranë të moshuarve të Kosovës”.
Idriz Hoxha nga “Handikos” Podujeva, tha se mjetet transportuese së ata kanë pasur në dispozicion janë amortizuar dhe se donacioni i dhuruar është ndihëm e madhe për ta.
“Ky fondacion neve do na kryejë shumë punë pasiqë mjeti transportues që e kemi pasur deri më tani ka filluar të amortizohet, kështuqë në këtë mënyrë do kryejmë shumë shërbime për personat me aftësi të kufizuara në komunën e Podujevës, kështuqë ky do na ndihmojë shumë, sepse pa transport adekuat ne nuk do mund të punonim me ata persona kështuqë, na jep mundësi të punojmë më tepër me këta persona dhe për këta persona”.
Ilir Gorani, drejtor i Shoqatës së fëmijëve me kancer, u shpreh se mjetet do të përdoren për të përforcuar kapacitetet e Repartit Onkologjik të Pediatrisë në QKUK, raporton EO.
“Mjetet që i mbledhim janë për të përforcuar kapacitetet e Repartit Onkologjik të Pediatrisë në QKUK që të kenë kapacitet për diagnostikim sa më të hershëm të sëmundjeve onkologjike dhe në kuadër të saj janë edhe fuqizimi i stafit si jashtë Kosovës si brenda”.
Albana Zogu Morina, SOS fshatrat e fëmijëve tha se shembulli i NLB Banka duhet të ndiqet nga të gjithë.
“Organizata SOS fshatrat e fëmijëve në Kosovë, deri tani është përkujdesur dhe ka mbështetur të gjithë që kanë pasur nevojë për përkrahjen tonë. Programet tona kryesisht kujdesen për fëmijët që kanë humbur përkujdesin prindëror. Të gjithë e dimë që organizatat jo gjithmonë kanë qëndrueshmëri financiare, dhe mund të mos realizojnë shkak i kësaj të gjitha qëllimet e tyre, andaj ky i sotmi është shembull që duhet ndjekur”.
Grupi NLB ka vendosur të dhurojë 1.35 milionë euro në të gjitha tregjet në rajonin ku operon.