Në zanafillë të tij, çmimi “Nobel” për letërsi ishte menduar për “personin që prodhon në fushën e letërsisë veprën më të mirë në drejtimin ideal”. Kështu kishte shkruar vetë Alfred Nobeli në testamentin e tij për njërin nga çmimet që do përfitonte nga pasuria e tij.
Mbi një shekull më vonë, shpallja e një laureati e njollos çmimin e madh. Befasi e shkelje e vlerave njerëzore u vlerësua na jo pak shkrimtarë e asociacione gjithandej botës, sapo u dëgjua emri i laureatit të sivjetmë: Peter Handke.
Pas një viti skandaloz që trandi reputacionin e Akademisë suedeze, drejtuesit e Komitetit të Nobelit sivjet kishin paralajmëruar se zgjedhjet e radhës do të shmangin dhëniet e çmimeve për të kaluarën “eurocentrike” dhe atë “maskuliniste”, shkruan sot Koha Ditore.
Ndarja e “Nobelit” të sivjetmë për shkrimtarin nga Austria, ka ngjallur pikëyetje mbi Akademinë suedeze dhe qasjen e saj ndaj letërsisë. Kjo ka bërë që laureatja polake Olga Tokarczuk, e cila mori “Nobelin” për vitin 2018, të kalojë në plan të dytë.
Nga reagimet e rretheve letrare ndërkombëtare deri te ato nga Kosova e Shqipëria, vendimi i Komitetit të “Nobelit” për laureatin austriak është vlerësuar si promovim i politikës mbi letraren. Shkas për këtë është bërë qëndrimi konstant i Peter Handkes në mbështetje të Sllobodan Millosheviqit dhe politikës së tij.
Si i dyti laureat nga Austria, pas shkrimtares Elfriede Jelinek e cila mori “Nobelin” për letërsi më 2004, Peter Handke është vlerësuar nga Akademia suedeze për “për një vepër me ndikim, e cila me zgjuarsi gjuhësore ka zhbiruar periferinë dhe veçantinë e përvojës njerëzore”.