Noizy nuk paraqitet për intervistim, lëshohet urdhër nga prokuroria

Prishtinë | 04 Gus 2024 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës është vënë në kërkim të reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy.

Ai është kërkuar me urdhër të Prokurorisë pasi i njëjti nuk është paraqitur për intervistim para organeve kompetente ashtu siç ka paralajmëruar avokati i tij.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës.

“I njëjti nuk është paraqitur për intervistim përkundër premtimeve nga avokati i tij – për këtë çështje i bëjmë thirrje këngëtarit dhe të gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale të paraqiten tek organet hetuese”, tha Nikçi.

“Kërkojmë edhe ndihmën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me Policinë dhe Prokurorin e Shtetit”.

Sinjali raportoi më herët se zyrtarë policorë e kanë kërkuar Noizyn para rreth një ore në banesën e Bahtjar Bajraktarit, DJ-it të reperit, i cili jeton në Prishtinë.

Ndërkohë vetë Noizy në një “story” në Instagram ka shkruar se e ka të pamundur të mbajë koncertin e tij të paralajmëruar në një klub të Ferizajt, “për shkak se po e shoqërojmë në Polici”.

Artisti nga Shqipëria u ka kërkuar falje të gjithë atyre që e prisnin të performonte.

Të ngjashme