Nol Nushi i PSD’së ndalohet nga Policia në kufirin me Maqedoninë e Veriut

Prishtinë | 15 Jan 2025 | 19:57 | Nga Ekonomia Online

Nol Nushi i PSD’së është ndaluar sot nga Policia sot në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut, bëri të ditur lideri i kësaj partie, Dardan Molliqaj.

Molliqaj përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook tha se Nushi është ndaluar për një rast të vitit 2016, sa ishte aktivist në VV.

Ai thotë se e gjithë kjo ka të bëjë vetëm me: lodhjen e aktivistëve.

“Është ndaluar nga policia në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut, Nol Nushi, Sekretari i Përgjithshëm i PSD-së.  Noli çdo ditë është në Prishtinë, banesë e zyrë. Si u bë që gjetën kufirin për ta penguar e arrestuar? Nga kush ky urdhër? Ky stil arrestimi ka veç një shpjegim: lodhja e aktivistëve. Kjo metodë përherë këtë funksion ka pasur. Nuk bëhet fjalë për këmbënguljen e drejtësisë”.

Tutje, Molliqaj ka kërkuar lirim të menjëhershëm të Nushit si dhe hetim për rastin.

“Në ndërkohë që Noli është ndaluar për një rast të vitit 2016, sa ishte aktivist në VV, nuk kemi dëgjuar raste të aktivistëve që janë në VV të jenë ndaluar a penguar.  Kërkojmë lirim të menjëhershëm, si dhe hetim të këtyre veprimeve arbitrare”, shkroi Molliqaj.

Të ngjashme