Nora Gjakova është e vetmja xhudiste me përvojë që do ta përfaqësojë Kosovën në ngjarjen e parë të madhe të vitit. Prej së enjtes deri të shtunën në Tel-Aviv të Izraelit, mbahet turneu i nivelit Grand Prix. Nora garon të enjten në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa fillimi pozitiv i vitit në të cilin synon shumë, vlerësohet me shumë rëndësi për 27-vjeçaren.
Nora Gjakova është e vetëdijshme se në fillim të vitit nuk mund të jetë në formën më të mirë. Por ajo, megjithatë, synon rezultat, që do të ishte i vlefshëm për vazhdim të 2020-s, shkruan Koha Ditore.
Në Tel-Aviv do të garojnë edhe Erza Muminoviq, Flaka Loxha e Laura Fazliu. Muminoviq garon në kategorinë deri 52 kilogramë, Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë, njëjtë si Nora, kurse Laura Fazliu garon në kategorinë deri 63 kilogramë. Vetëm Laura garon të premten, të tjerat të enjten. Tri xhudistet e tjera elitare, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Loriana Kuka, pushojnë nga kjo garë. Akil Gjakova po sanon ende një lëndim të dorës.
“Vitin 2020 po e filloj në Grand Prix të Tel-Avivit. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Më herët këtë muaj në një kamp të madh përgatitor në Austri, kam pasur mundësinë që të ushtroj dhe të përballem me thuajse të gjitha xhudistet më të mira të kategorisë sime. Është vit olimpik dhe në çdo garë do të ketë konkurrencë të madhe. Por unë jam e përgatitur për t’u përballur me çdo garuese”, ka thënë Nora Gjakova të martën për gazetën.