Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, e ka fituar përballen e parë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, na kategorinë e peshave deri në 57 kilogramë.
Në përballjen e vlefshme për rundin e dytë të Grand Prixit të Gjeorgjisë, Nora Gjakova e mposhti me ippon xhudisten turke, Seyma Ozerler.
Gjakova e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa për të ardhur deri në këtë pikë xhudistja turke u përball me xhudisten nga Bjellorusia, Ulyana Minnenkova.
Në këtë garë, Kosovën do ta përfaqësojnë kampionia e Evropës dhe sportistja më e mirë e Kosovës për vitin 2018 e zgjedhur nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Nora Gjakova, si dhe kampionia e Evropës për U-23, Loriana Kuka.
Nora po garon sot në kategorinë e saj (deri në 57 kilogramë), ndërsa Loriana garon të dielën në kategorinë deri në 78 kilogramë.
Xhudistët e tjerë si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Akil Gjakova, do të pushojnë. Të pesë xhudistët kosovarë momentalisht kanë normat Olimpike Tokio 2020. Nora është e katërta në kategorinë e saj në renditjen Olimpike, ndërsa Loriana e 15-ta.