Dita e parë e turneut të xhudos në Abu Dhabi ka sjellë shkëlqimin e Nora Gjakovës që arriti të marrë medaljen e artë në kategorinë deri 57 kilogramë.
Xhudistja kosovare u zgjodh Gruaja e Ditës nga Euronews për paraqitjen mbresëlënëse duke “shkatërruar” të gjitha kundërshtaret.
Euronews ka shkruar se Gjakova tregoi përsosmëri në paraqitjet e saj, sidomos në gjysmëfinalen ndaj Lien Chen-Ling dhe në finalen ndaj Anastasiia Konkinas të Rusisë.
“Është ndjenjë e mrekullueshme. Thuajse kisha harruar se si është të jesh në podium, sepse në dy garat e fundit humba dhe në Kampionatet Botërore, kur pata rezultate zhgënjyese, dhe kthimi nga ai rezultat, për mua është shumë mirë. Është medalja e parë e artë në një grand-slam dhe sigurisht jam shumë e lumtur”, ka thënë Gjakova pas triumfit.
Në ditën e parë të këtij turneu, Kosova fitoi edhe dy medalje tjera pos Gjakovës. Të argjendtën Kosovës ia sollën Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi.