Falë Nora Gjakovës, Kosova numëron një medalje në Lojërat Evropiane Baku 2015. Xhudistja nga Peja ia solli të bronztën Kosovës në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Medalja e fituar në Baku e ndryshoi për të mirë Norën. Medaljet e saj nuk u ndalën nga viti në vit, kurse suksesin më të madh e arriti vitin e kaluar, duke u bërë kampione e Evropës, ndërsa për vitin 2018 u shpall sportistja më e mirë e Kosovës.
Nga podiumi në Baku të Azerbajxhanit, Nora synon ta pushtojë majën e podiumit të Minskut. Ajo i ka zbuluar synimet e saj në intervistën për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Si i kujtoni Lojërat Evropiane Baku 2015?
Lojërat Evropiane Baku 2015 kanë qenë shumë të veçanta, pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në një garë multisportive ka qenë eksperiencë ndryshe prej garave të tjera, prandaj edhe e kujtoj që kam pasur shume emocione para paraqitjes. Kam kujtime shumë të mira, sepse e kam fituar medaljen e parë në një nivel të tillë për seniore.
A e ka vendin e veçantë në sirtarin tuaj kjo medalje?
Medalja e Lojërave Evropiane është prej medaljeve me të cilat krenohem më së shumti. Me këtë medalje e kam siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Çfarë ka ndryshuar tek Nora Gjakova prej fitimit të medaljes së bronztë në Baku 2015 e deri në Minsk 2019?
Pas medaljes se Bakus unë kam ndryshuar shumë, sa i përket xhudos dhe synimeve të mia. Jam përkushtuar 100 për qind për t’u ngritur sa më shumë dhe kam punuar vazhdimisht. Pas Lojërave Evropiane kam fituar çdo vit medalje në Kampionate Evropiane për seniore.
Përgatitjet për Minsk 2019?
Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, jam munduar me e dhënë maksimumin në çdo stërvitje, shpresoj që kjo punë të më shpërblehet.
Si kampione e Evropës vitin e kaluar, a është synimi i Norës për ta mbrojtur këtë titull edhe në Minsk 2019, pasi Lojërat Evropiane vlejnë edhe si Kampionat Evropian?
Duke qenë kampione evropiane e vitit të kaluar, synimi im është medalja e artë, por në një garë të tillë e rëndësishme është me qenë në podium, pavarësisht ngjyrës së medaljes dhe dëshirës për të artën.