Kërcimi nga aeroplani mund të mos jetë ide e mirë për t’u përgatitur për një turne tenisi, por Cameron Norrie gjithmonë i ka bërë gjërat pak më ndryshe, raporton BBC.
Britaniku numër dy në renditjen botërore, i cili ka një baba skocez dhe nënën nga Uellsi, lindi në Afrikën e Jugut dhe u rrit në Zelandën e Re përpara se të luante tenis në kolegjet e SHBA-së, transmeton Koha Ditore.
Përderisa shumë prej kolegëve të tij morën seriozisht rrugën që i çoi te tenisi profesionist, Norrie zgjodhi të kombinonte sportin me studimet për një diplomë të sociologjisë, në mënyrë që të ketë një jetë më normale.
Tani, më pak se dy vjet prej se është bërë profesionist, Norrie që luan me dorën e majtë, këtë vit ka pasur një ngritje të madhe në listën e ATP-së, duke u ngjitur në pozitën e 41-të.
Norrie, i cili do të paraqitet në “French Open” që nis të dielën, ka folur për ëndrrën olimpike dhe shumë gjëra që kanë të bëjnë me karrierën e tij, përfshirë edhe parashikimet e kritikëve se është pasardhës i Andy Murrayt, tashmë të pensionuar.
Shijon jetën dhe tenisi nuk është gjithçka për të
Norrie shpesh është i sinqertë në vlerësimet e tij, pasi zbulon se hoqi dorë nga ekonomia për sociologjinë pasi “ishte paksa më lehtë”.
Ai Wimbledonin e përshkruan vetëm si “një turne” dhe thotë se ajo që mësoi nga stërvitja me ish-kampionin e US Open, Juan Martin del Potro, ishte “sinqerisht, asgjë”.